Vendimi që nuk zbatohet. I dënuari me 24 vite burg kërkon ndërhyrje kirurgjikale prej 3 vitesh

16/07/2018 15:30

I cilësuar si “i forti i Vlorës”, Fotaq Zaharia është dënuar me 24 vite heqje lirie nga Apeli i Krimeve të Rënda për akuzat e “grabitjes”, “pengmarrjes” dhe “tentativës së vrasjes”.

Sot, pasi ka kryer 11 vite të dënimit, Fotaq Zaharia kërkon liri pasi gjendja e tij shëndetësore është rënduar. Rasti i Fotaq Zaharisë nuk është i panjohur për sistemin e drejtësisë shqiptare dhe asaj ndërkombëtare.

“Në vitin 2015, Gjykata e Krujës ka urdhëruar autoritetet që të kryejnë një ndërhyrje të dytë kirurgjikale. Në vitin 2016, Gjykata e Strasburgut konstatoi që ky vendim nuk ekzekutohej dhe dha një masë të përkohshme, duke u kërkuar autoriteteve shqiptare që të zbatojë vendimin e Krujës”, tha Erida Skëndaj, drejtore ekzekutive e Komunitetit Shqiptar të Helsinkit.

Por, përsëri ky vendim nuk gjeti zbatim, pasi mjekësia shqiptare e ka të pamundur të mbulojë ndërhyrjen kirurgjikale, që i nevojitet Fotaq Zaharisë.

“Tashmë çështja është në Gjykatën e Strasburgut për sa i përket dëmit që duhet t’i akordohet këtij shtetasi. Por, ndërkohë, ne menduam t’i drejtohemi Gjykatës së Krujës, duke kërkuar lirimin e këtij shtetasi për shkak të sëmundjes”, tha më tej Erida Skëndaj.

65-vjeçari, pas 11 vitesh në qeli vazhdon të kërkojë drejtësi.

“Nga drejtësia shqiptare kërkoj drejtësi në të gjitha drejtimet”, shprehet i dënuari Fotaq Zaharia.

Për të gjitha rastet e trajtimit çnjerëzor dhe degradues të gjendjes shëndëtësore, Gjykata e Strasburgut kërkon lirimin e të bugosurve.

“Gjykata e Strasburgut ka thënë në mënyrë eksplicite, që përjashtimisht kur kushtet shëndetësore nuk janë në përputhje me kushtet në të cilat ata mbahen në sistemin e burgjeve, atëherë shtetasi duhet të lirohet”, tha në fund drejtorja ekzekutive e Komunitetit Shqiptar të Helsinkit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA