Qyteti i Stokonit është shumë pranë Silicon Valley, në Kaliforni, një prej zonave më të pasura të SHBA-ve ku janë përqendruar kompanitë teknologjike më të famshme në botë.

Pak vite më parë, Stokon ishte kryeqyteti i Amerikës për sa i përket shtëpive që bllokoheshin nga bankat ngaqë nuk paguheshin dot nga kredimarrësit.

Ish qyteti i falimentimeve do të bëhet tani qyteti i parë në Amerikë ku do të testohet sistemi i të ardhurave bazë universale. Për 18 muaj rresht, Stokoni do t’u japë 100 banorëve nga 500 dollarë në muaj, pa kërkuar gjë në këmbim.

Qëllimi i këtij sistemi jo-tradicional për shpërndarjen e pasurisë është që të vendoset një dysheme bazë për jetesën, poshtë të cilës nuk duhet të bjerë askush.

Koncepti i të adhurave bazë universale ka pasur mbështetje nga shumë drejtues të kompanive në Silicon Valley, që nga Elon Musk, Richard Branson e Mark Zuckenberg. Duket si mënyrë e mirë për të ulur varfërinë e për t’u mbrojtur nga ulja e vendit të punëve që do të shkaktohet nga automatizimi.

“Duhet të eksplorojmë ide si të ardhurat bazë universale, që çdo njeri të ketë një fashë mbrojtëse që do t’i lejojë të provojnë ide të reja”, tha Zukerberg në maj të vitit 2017.

Edhe projekti i Stokonit i ka rrënjët në Silicon Valley. Mes mbështetësve financiarë është organizata e bashkëthemeluesit të Facebook, Chris Hughes, e quajtur Projekti i Sigurisë Ekonomike. Është organizuar një fond për të mbështetur kërkime dhe angazhime kulturore në lidhje me të ardhurat bazë universale. Ky fond ka kontribuar me 1 milion dollarë në nismën e Stokonit.

Në një intervistë për CNN Money, Hughes tha se kur ishte bërë pjesë e 1%-ëshit të më të pasurve, ai kishte kuptuar se sa shumë pabarazi ka ekonomia e vendit.

“Në Amerikë është ideja që nëse punon fort, mund të bësh shumë përpara dhe sigurisht  që s’do të jetosh në varfëri. Por nuk është e vërtetë sot dhe s’ka qenë e vërtetë për dhjetëvjeçarë”, tha Hughes. “Unë besoj se nëse nuk bëjmë ndryshime sot, pabarazia do të shtohet dhe do të vërë në dyshim natyrën e kontratës tonë shoqërore”,

Stokon ka 300,000 banorë dhe një në katër prej tyre jetojnë në varfëri. Për këtë arsye u pa si një mënyrë e mirë për të testuar të ardhurat bazë universale.

“Stokon është një qytet që duket shumë si pjesa tjetër e Amerikës”, tha Natalie Foster, bashkëthemeluese dhe bashkëdrejtuese e Projektit të Sigurisë Ekonomike.

Të ardhurat mesatare për çdo familje në Stokton janë 49,271 dollarë në vit, në krahasim me 57,617 që ka vendi, sipas Zyrës Amerikane të Censusit. Qyteti ka edhe shumë diversitet, me 70% të popullsisë të vetë-deklaruar si minoritarë.

“Shumë njerëz e lindin jetën duke qenë shumë hapa prapa të tjerëve, pasi lindin në zona që nuk ofrojnë shumë mundësi”, tha kryebashkiaku i Stoktonit, Michael Tubbs. “Mamaja ime thoshte gjithnjë që duhej të dilja nga Stoktoni. Por unë dua që Stoktoni të jetë një vend ku njerëzit të jetojnë mirë”.

Interesi i tij ndaj të ardhurave bazë universale vjen edhe nga kërcënimi i vazhdueshëm që u bëhet vendeve të punës nga automatizimi dhe hapja e fabrikave në vende të tjera.

Tubbs beson se kompanitë që i ndërtojnë këto teknologji kanë përgjegjësinë të sigurohen që njerëzit të mos ndikohen, dhe që komunitetet të bëhen vende më të mira.

Kjo është një mënyrë për të ndihmuar.  Banorët e Stoktonit po aplikojnë të gjithë që të marrin një prej 100 pagesave.

“Më është mbushur e-mail-i me mesazhe nga njerëzit që duan të pyesin se si mund të aplikojnë e nëse janë shumë vonë për aplikimin”, thotë Lori Ospina, drejtoreshë e Demonstrimit të Fuqizimit Ekonomik të Stokomit, që po menaxhon projektin.

Projekti që pritet të nisë në vitin 2019, shpreson të përdorë të dhënat që do të dalin për t’iu përgjigjur pyetjeve për të ardhurat bazë universale. Për shembull, sa ndryshon pjesëmarrja në shkollë e personave që marrin këto të ardhura, apo nëse i bëjnë njerëzit që të lënë punën e të hapin biznese.

Projekti ka interes edhe për të gjetur mënyra që të ndikojnë fuqizimin e femrës, dhe nëse ndihmon me nxjerrjen nga varfëria.

Eksperimenti i Stokonit nuk është i pari që zhvillohet. Programe të ngjashme janë zhvilluar në Finlandë, Itali, Uganda, Kamboxhia dhe Indi.

Në Finlandë, 2000 të papunë nga mosha 25 deri në 58 vjeç morën 560 euro në muaj. Në Kamboxhia, gjithë gratë shtatzëna dhe fëmijët morën nga 5 dollarë në muaj. Në Kenia po zhvillohet një program 12 vjeçar, i zhvilluar nga GiveDirectly.org, ndërkohë që qeveria kanadeze po zhvillon një të ngjashëm në Ontario. Një tjetër program pritet të zhvillohet në Oakland të Kalifornisë, ku 1000 njerëz do të marrin nga 1000 dollarë në muaj për 5 vite.

“Kam parë që komuniteti i kompanive teknologjike ka shumë interes për të ardhurat bazë universale. Them se vjen pjesërisht nga ndjenja e fajit, dhe pjesërisht nga optimizmi”, thotë Foster. “Këta janë njerëz që besojnë te idetë e mëdha, dhe asgjë nuk është tepër e madhe”.

Foster sugjeron që programe të tjera transferimi parash mund të tregojnë se si të ardhurat universale bazë mund të funksionojnë edhe më gjerësisht. Për shembull, në 40 vitet e fundit, banorët e Alaskas, përfshi fëmijë, kanë marrë pagesa vjetore nga renta minerare.

“E përdorin që të kursejnë për arsim, të përballojnë ndryshimet sezonale në punë ose të paguajnë ngrohje gjatë dimrit, kur bëhet shumë më e shtrenjtë”, tha Foster.

Allison Fahey, Drejtoreshë e Laboratorit për Varfërinë te MIT (Instituti Teknologik i Masaçusetsit), është ende herët për të kuptuar nëse të ardhurat bazë universale do ta ulin varfërinë. Por ajo beson se përvoja në Stokon dhe në vende të tjera do të japë përgjigje.

“Ka potencial dhe prandaj është e rëndësishme të marrë vëmendje. Është mënyrë shumë rrënjësore për të dhënë ndihmë. Ka elegancë dhe bukuri te thjeshtësia e vet”, thotë ajo.

Rachel Crane, CNN Money

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA