Për 28 vite, Barjam Njazi Dervishaj ka parë çdo burg të Shqipërisë komuniste. Ishte ende fëmijë, kur u arrestua teksa përpiqej të largohej nga Shqipëria.

“Për çfarë më kanë parë sytë, për çfarë kam hequr, unë duhej të kisha vdekur 100 herë”, thotë ai.

Ajo që e mundon 74-vjeçarin pas fitimit të lirisë është pyetja: Po eshtrat e shokëve të tij, ku gjenden?

“Në atë kohë unë po shkarkoja vagonin dhe dëgjoj ulërimën e shokut tim, kishte thyer këmbën. E mora ashtu në krahë dhe duke zbritur katet e nënkatet e galerisë, ndieja ngrohtësinë e gjakut të tij që kullonte mbi trupin tim. Në burgun e Burrelit jam ndierë keq me dy shokët e mi, që varën veten nga uria”, thotë Barjam Njazi Dervishaj.

Por, krimet e komunizmit nuk mbarojnë me kaq.

“Pasi pushkatuan 4 heronjtë e Spaçit, 4 djem të rinj vetëm se ngritën flamurin e Skënderbeut. Pas 3 ditëve gjejnë qenin, e dënojnë me trup gjykues dhe e varin para të burgosurve politikë. Ja ku arriti kafshëria e komunizmit, vari edhe qenin”, thotë Hysen Ismail Haxhiaj.

Këto dëshmi e të tjera, tanimë do të mund të shihen të gjitha në një arkivë “online” të viktimave të komunizmit, “Kujto.al”, një nismë e ndërmarrë nga deputeti Agron Shehaj.

“Teknologjia vërtet na jep mundësi që ne të mbledhim informacione. Një shembull elementar: një nga gjërat që ndihmoi Facebooku ishte që njerëzit të gjenin shokët e klasave. Imagjino ç’mund të bëjë teknologjia e informacionit për krimet e komunizmit”, u shpreh Shehaj.

Ndërkohë, plagët e asaj periudhe janë të hapura edhe sot te viktimat e komunizmit.

“Ndiejmë makthe, unë shikoj ëndrra e llahtare natën. Komunizmi ka lënë gjurmë të thella te ne”, tha Barjam Njazi Dervishaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA