Në mbyllje të ditës së parë të Samitit të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg tha se angazhimi financiar i anëtarëve nuk është i njëjtë.

Stoltenberg rreshtoi një sërë vendimesh të Samitit për më shumë trupa e pajisje, për të cilat anëtarët ranë dakord, por nuk ofroi ndonjë zgjidhje për atë që duket se shqetëson më shumë Donald Trumpin, e për të cilën ai kërkon hapa të menjëhershëm.

Gjatë samitit, presidenti amerikan kërkoi që anëtarët e aleancës të dyfishojnë në 4% të GDP-së shpenzimet për mbrojtjen, komente të konfirmuara nga zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.

“Jemi të gjithë dakord se barra financiare nuk është e ndarë në mënyrë të barabartë në aleancën tonë sot. Lajmi i mirë është se kemi progres. Këtë vit, 8 anëtarë janë angazhuar t’i kushtojnë të paktën 2% të GDP-së mbrojtjes. Ndërsa shumica e aleatëve kanë plane ta bëjnë këtë deri në vitin 2024”, tha Stoltenberg.

Stoltenberg shtoi gjithashtu se NATO duhet të bëjë më shumë, por premtimet për të ardhmen zor se e kanë kënaqur Trumpin, pavarësisht zgjerimit të aleancës.

“Dera e NATO-s është dhe do të mbetet e hapur. Muajin e kaluar mirëpritëm paktin historik mes Athinës dhe Shkupit, ndërsa sot ramë dakord që të ftojmë qeverinë e Shkupit të nisë bisedimet për anëtarësim. Pasi të gjitha procedurat kombëtare të jenë përfunduar, për të finalizuar marrëveshjen për emrin, ky vend do t’i bashkohet NATO-s si anëtari i 30”, tha Stoltenberg.

Në Samitin e NATO-s në Bruksel ishte i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se Shqipëria u vlerësua shumë pozitivisht për kontributin e saj në programin e aleancës; për rritjen e buxhetit të mbrojtjes; për pjesëmarrjen me 13% të trupave të veta në frontet e përbashkëta; si dhe për qasjen aktive kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Duke vlerësuar lart marrëveshjen e arritur mes Athinës e Shkupit, Shqipëria mbështeti gjithashtu nisjen e procedurave për anëtarësimin sa më të shpejtë në NATO të fqinjit tonë lindor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA