Në faqen e internetit të “Turtle Fest” gjejmë këtë pasazh mirëseardhjeje: Rruga për në ‘Turtle Fest’ ka nisur 20 e kusur vite më parë. Ishte 11 vjeç, kur Rubini pa një koncert për herë të parë te Piramida. Sot, ai djalë mban mend shumë mirë dëshirën e energjinë dhe e ka sjellë këtu në Dhërmi.

“Ajo që artikulli dhe mirëseardhja përshkruajnë janë përpjekjet e disa brezave të të rinjve shqiptarë në këto 20 vite, për të organizuar koncerte, për të jetuar me muzikën, me të bukurën, e për t’i ndarë këto gjëra në komunitet. Një festë breshke, sepse breshka e ujit jeton gjatë, është e madhe dhe e zgjuar”, thotë Rubin Beqo, organizator i “Turtle Fest”.

Prej 7 vitesh, shqiptarët nuk kanë pse të largohen nga vendi i tyre për t’u bërë pjesë e Festivaleve muzikore verore, pasi një i tillë organizohet për 3 ditë në bregdetin e Jonit.

Ndërkohë që edhe pushuesit kosovarë kanë braktisur Adriatikun, si destinacion turistik. “Pushimet e duhura kalohen në Jug”, tregojnë ata.

Në festën e breshkës gjetëm edhe kolegët e Top Channel.

“Siç e shihni edhe vet, këtu është plot, njerëzit janë shumë të karikuar”, shprehet Kamela Islamaj.

“Pjesëmarrja është rritur nga viti në vit, sikurse cilësia, me DJ që janë marrë nga jashtë. Jemi të gjithë për t’ia kaluar mirë”, thotë Erblin Bajko.

“Po të jesh atje afër të dridhet gjoksi, po të jesh pak më larg të lëviz truri”, tregon Roland Saro.

Pushimet do të vijojnë me plot aktivitete, por sot në “Turtle Fest”, përveç haresë e festës së bukur, pamë edhe sesi ndonjëherë ëndrrat e fëmijërisë nuk mbeten në të shkuarën, por na ndjekin dhe rriten bashkë me ne, si me Rubinin kur ishte 11 vjeç dhe sot 33 vjeç.

Top Channel