Franca, përballë “makthit” Uruguaj. Brazili, kundër “mallkimit” europian ndaj Belgjikës

06/07/2018 09:15

Tetë ndeshje nga fundi i Botërorit, pikërisht sot nis faza më drithëruese e turneut të Rusisë. Çerekfinalet do të nisin këtë të premte, me dy ndeshje të programuara në orën 16 dhe 20, që në fakt mund të konsiderohen supersfida, duke qenë se janë ato të “krahut të majtë” të skemës së shortit.

Në Nizhny Novgorod, Uruguaji dhe Franca do të masin forcat pasdite, ndërsa mbrëmja e Kazanit do t’i lihet Brazilit, që do të sfidojë Belgjikën.

Sa i përket duelit të parë, ende nuk dihet fati i Cavanit. Sulmuesi i Paris SG-së është stërvitur veçmas grupit, e me siguri nuk do ta nisë titullar. I pavendosur është edhe trajneri Tabarez, i cili në konferencën për shtyp në vigjilje të takimit tha se “ndoshta nuk do të luajë nga minuta e parë, por do të futet si zëvendësues”. Në mungesë të tij, vendin e titullarit do ta zerë Stuani, në krah të Suarezit. Pjesa tjetër e skuadrës është e konfirmuar, asnjë ndryshim nga formacioni që u ndesh me Portugalinë.

Ndërkohë, për “gjelat” e Francës do të mungojë vetëm Matuidi, i skualifikuar për shkak kartonësh, vendin e të cilit pritet ta zerë Tolisso, në krah të Kantè e Pogba në mesfushë. Pjesa tjetër e ekipit, gjithashtu e pandryshuar nga ajo që u pa ndaj Argjentinës. Një statistikë, formacioni “Celeste” është i pamposhtur përballë Francës në duelet e Botërorit. Në tri përballjet e mëparshme, amerikano-latinët kanë regjistruar një fitore dhe dy barazime, më e fundit në vitin 2010 pa gola.

Mbrëmja i dedikohet gjithashtu një ndeshjeje emocionale dhe që premton spektakël. Për “Seleçao”-n ekziston një “mallkim” për t’u zhbërë. Në 3 Kupat e fundit të Botës, brazilianët janë eliminuar gjithmonë nga një skuadër e kontinentit të vjetër: Franca në vitin 2006, Holanda në vitin 2010 dhe Gjermania në vitin 2014.

Formacionit të “Sambës” do t’i duhet të bëjë pa shërbimet e Casemiros, në vendin e të cilit trajneri Tite ka planifikuar të aktivizojë Fernandinhon e Manchester City. Sa i përket pjesës tjetër të skuadrës, një formacion identik si ai që eliminoi Meksikën, por me rikthimin në lojë të Marcelos.

Në krahun tjetër, trajneri i Belgjikës Martinez do të zbresë me skemën e tij të preferuar, 3-4-3, me “tridhëmbëshin” Mertens-Lukaku-Hazard në repartin sulmues. Mes belgëve e brazilianëve regjistrohen 4 precedentë të mëparshëm nëpër Botërorë, nga të cilat vetëm një kanë fituar europianët në vitin ’63, ndërsa 3 të tjerat janë fituar nga “verdhjeshilët”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA