Diego Armando Maradona nuk ndryshon kurrë dhe as ka ndërmend ta bëjë. Botërori i Rusisë për të nuk ka përfunduar me eliminimin e Argjentinës nga Franca.
E pasi humbi Messin me shokë, Diego u transformua në një tifoz të Kolumbisë, edhe kjo e eliminuar një natë më parë në 1/8-at e finaleve nga Anglia, pas gjuajtjes së 11-metërshave.
Një eliminim ky që shkaktoi irritimin e Maradonës, si gjithmonë, por këtë herë tej limiteve të parashikuara. Zemërimi i “El Pibe de Oro”-s erdhi mbi të gjitha nga penalltia e kontestueshme që iu akordua anglezëve për të zhbllokuar rezultatin.
Në shënjestrën e legjendës së futbollit argjentinas përfundoi arbitri amerikan, Geiger, i cili dha penalltinë në favor të Kane; por edhe FIFA, një armike e betuar dhe historike e ish-yllit të Napolit të viteve ’90.
“Kolumbia pësoi një grabitje monumentale. Arbitri Geiger, një gjyqtar amerikan, ndoshta mund t’i njohë mirë rregullat e bejzbollit, por jo aq edhe ato të futbollit. Ai është një hajdut! Ndërhyrjen e gabuar faktikisht e shkaktoi Kane, por ai dha penallti kundër kolumbianëve, të cilët humbën pa pasur asnjë faj. Përse nuk kërkuan ndërhyrjen e VAR-it?”, pyet në fund të sulmit të tij të ashpër Maradona.
Barazimi i Kolumbisë në fundin e takimit nuk e frenoi aspak irritimin e legjendës, i cili gjatë transmetimit të emisionit “De la mano del Diez” shtoi edhe më shumë.
“I duhet kërkuar falje popullit kolumbian. Arbitrat i përzgjedh Collina, i cili është nominuar nga Infantino, me këtë të fundit që duhej të çlironte FIFA-n nga korrupsioni dhe nga hajdutët. Por, në këtë ndeshje kemi parë krejt të kundërtën. FIFA është ende ajo e vjetra dhe e trukuara. Më dolën lotë kur më premtoi se do ta çlironte FIFA-n nga kalbësirat, por jo”.
Top Channel