Mbrëmjen e kësaj të marte do të mësohen dy skuadrat e fundit çerekfinaliste të Botërorit të Rusisë.

Në orën 16:00 do të luhet ndeshja mes Suedisë dhe Zvicrës. Suedia nuk ka pasur një ecuri kaq të mirë në një Botëror që nga ai i vitit 1994, kur u rendit e treta, ndërsa Zvicra, herën e fundit që e pa veten në çerekfinale ka qenë në vitin 1954, në Kupën e Botës të organizuar nga ajo vet.

Në këtë ndeshje, Suedia nuk do të ketë Larsson të skualifikuar. Ndërsa te Zvicra do të peshojë mungesa e Schär, e sidomos ajo e kapitenit Lichtsteiner, i cili pritet të zëvendësohet nga Elvedi. Ndeshja mes Suedisë dhe Zvicrës do të gjykohet nga slloveni Damir Skomina.

Në orën 20:00, në “Spartak Stadium” të Moskës do të luhet sfida mes Kolumbisë dhe Anglisë.

Kolumbia u rendit e para në grupin H, ndërsa “Tre luanët” të dytët në grupin G. Anglia ka një bilanc pozitiv në përballjet me amerikano-latinët.

Në 5 ndeshje të luajtura ndaj Kolumbisë, Anglia ka 3 fitore e dy barazime. Një prej fitoreve të anglezëve ndaj kolumbianëve është ajo në “France 98”, 2-0 me gola të Anderton e Beckham.

Për sa i përket formacionit, Pekerman me shumë gjasa nuk do të aktivizojë James Rodriguez, por do të jetë Falcao në sulm e Yerri Mina në mbrojtje.

Ndërsa tek Anglia, Southgate me sa duket do të përdorë një sistem me 3 mbrojtës, ndërkohë që në majë të sulmit do të jetë Harry Kane, shënuesi më i mirë i Botërorit deri në këtë moment.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA