Thuhet se botërori i vërtetë nis me fazën e 1/8 të finaleve. Kjo do të ndodhë edhe në Rusi ku tashmë është përcaktuar kuadri i kësaj faze e cila do të nisë menjëherë me përballje shumë të forta.
Dita e shtunë është ajo mes Francës e Argjentinës, një lloj finaleje e parakohshme. Do të jetë sfida mes shpresës së argjentinasve me në krye Messin dhe ëndrrës se Pogba, Mbappe e Griezmann.
Edhe në mbrëmje në Sochi do të kemi një luftë yjesh pasi në njërën anë janë Godin, Gimenez, Suarez e Cavani që do të kërkojnë të frenojnë e të mposhtin Portugalinë e Cristiano Ronaldos.
Uruguai ende nuk ka pësuar gol, dhe kjo ndeshje me kampionët e Evropës do të jetë një provë zjarri për të.
Nuk është më pak spektakolar programi i së dielës. Në Moskë, Rusia organizatore do të presë Spanjën që në ndeshjen me Marokun rrezikoi jo pak.
Skuadrës së Hierros i duhet të japë sinjale e të tregojë se e meriton rolin e favoritit për fitoren finale. Kroacia nuk ka se përse të japë prova të reja për forcën e saj.
Skuadra e Daliç e mbylli fazën e grupeve me pikë të plota dhe përballë do të ketë Danimarkën për një vend në çerekfinale.
E hëna do të jetë dita e Brazilit, një skuadër ku ndërthuret talenti me pragmatizmin. Seleçao do të luajë përballë Meksikës, ndërkohë që më pas do të luajnë mes tyre Belgjika e Japonia, një sfidë që në letër sheh Djajtë e Kuq belgë si pretendentë.
Kuadri i ndeshjeve të 1/8 të finaleve do të mbyllet me Suedi-Zvicër, ndërkohë që një tjetër ndeshje e madhe është edhe ajo mes Kolumbisë dhe Anglisë. Më pak fjalë do të na presin 4 ditë të zjarrta, ku asnjërës prej skuadrave nuk i lejohet më të bëjë gabime.
Top Channel