Interi duket i papërmbajtshëm në këtë merkato verore, pavarësisht Fair Play-t Financiar që “ka ende nëpër këmbë”.

Kështu zikaltrit kanë arritur të transferojnë deri tani plot 4 futbollistë, duke filluar nga holandezi De Vrij, Asamoah, Lautaro Martinez dhe së fundi blerja më e bujshme, Radja Nainggolan.

Gjithsesi zikaltrit kanë arritur akordin edhe për të marrë nga Sassuolo sulmuesin e talentuar Matteo Politano. 24-vjeçari do të mbërrijë në Milano ditën e shtunë, kur edhe do të kryejë vizitat mjekësore, ndërsa më pas pritet të bëhet edhe prezantimi zyrtar.

Politano vjen te Interi me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje në fund të sezonit të ardhshëm, ndërsa te Sassuolo do të shkojë i riu zikaltër Jens Odgaard, për shumën e 5 milionë eurove.

Me këtë formulë, Interi arkëton menjëherë 5 milionë eurot që e ndihmojnë të mbyllë pa humbje bilancin e sezonit 2017-2018, deri më 30 qershor dhe nga ana tjetër, Politanon mund ta përdorë edhe në listën Champions, pasi nuk rëndon në bilanc, sepse vjen si i huazuar.

Matteo Politano luan prej 3 sezonesh në Serinë A me Sassuolon, por ka shkëlqyer veçanërisht këtë vit, ku ka shënuar 11 gola dhe ka asistuar 3 të tjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA