Gjilani sheh “Dritë” në fund të tunelit, arrin turin e parë kualifikues të Championsit

29/06/2018 23:10

Pasi arriti të shpallej kampione e futbollit në Kosovë, Drita e Gjilanit arrin një sukses të merituar edhe në kupat e Europës.

Ekipi kosovar mori pjesë në miniturneun e zhvilluar në Gjibraltar mes 4 skuadrave të nivelit fillestar, në atë që konsiderohet si tur parakualifikues që do të çonte vetëm një ekip në turin e parë kualifikues të Champions League për edicionin 2018-2019.

Pas fitores 2-0 në kohët shtesë ndaj Santa Colomës, Drita mposhti 4-1, edhe këtë herë pas kohëve shtesë, pasi 90-minutëshi i rregullt përfundoi në barazim 1-1, ekipin nga Gjibraltari të Lincoln Red Imps, duke prerë tashmë biletën për përballjen e vështirë ndaj Malmos së Suedisë, ndërkohë që 3 ekipet e tjera të eliminuara nga Championsi do të vijojnë rrugëtimin e tyre në Europa League.

Ndeshja ndaj Lincolnit nisi me një gol të Liridon Lecit, një mbrojtës që ka luajtur edhe për skuadra shqiptare, si Elbasani, Flamurtari, Besa, Vllaznia e Kastrioti, përpara se të vendoste të mbyllte karrierën në Kosovë, ku ka luajtur edhe me Prishtinën e Hajvalinë.

Golin e shënuar pas vetëm dy minutash, Leci e festoi me simbolin e shqiponjës.

Edhe pse vendasit barazuan me anë të Corral, rezultat që bëri të detyrueshme zhvillimin e kohëve shtesë, kosovarët do të gjenin sërish forca, në një kohë kur të dyja skuadrat mbetën me nga një lojtar më pak, për të shënuar, këtë herë nga pika e bardhë e 11-metërshit, sërish me autor 33-vjeçarin Leci, e për ta vulosur rezultatin me anë të Shabanit dhe Nezirajt.

Në Gjilan ndërkohë shpërtheu festa mes tifozëve vendas për këtë sukses të merituar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA