FIFA ka bërë bilancin e VAR-it pas përfundimit të ndeshjeve të grupeve në Botërorin “Rusi 2018”.
Drejtori i projektit të teknologjisë, Roberto Rosetti, drejtori i arbitrave të FIFA-s, Massimo Busacca dhe Presidenti i Komitetit të Arbitrave të FIFA-s, Pierluigi Collina dolën përpara mediave në stadiumin Luzhniki të Moskës dhe treguan rezultatet e VAR-it.
Sipas tyre, VAR-i ka kontrolluar 335 raste në 48 ndeshje. Nga këto, 14 vendime të arbitrit u ndryshuan, ku përfshihen 7 penallti të dhëna, 2 penallti të anuluara, 2 kartonë të kuq, 2 gola të dhënë në pozicion jashtë loje dhe një për gabim identiteti.
Interesant është fakti se në këtë Botëror janë akorduar 24 penallti, në krahasim me 10 të “Brazil 2014” dhe 10 të “Afrikë e Jugut 2010”, por vetëm 7 prej tyre janë dhënë me VAR.
Gjithashtu, Collina, Rosetti dhe Busacca thanë se është rritur koha efektive e lojës. Nga 55 minuta e 24 sekonda në Brazil, në Rusi mesatarja e lojës efektive të një ndeshjeje është 56 minuta e 45 sekonda.
“Falë VAR-it, pas 48 ndeshjesh të këtij Botërori, nuk kemi asnjë skandal”, tha Collina.
Top Channel