Numrat imponues të fazës së grupeve po dalin në dritë ngadalë në Botërorin e kësaj vere. Me përfundimin e fazës së parë dhe me zëvendësimin e përballjeve të drejtpërdrejta, FIFA ka bërë të ditur edhe një panoramë për 15 ditët e para të turneut.

Në total u zhvilluan 48 takime, nga të cilat vetëm 9 kanë përfunduar në barazim, prej të cilave vetëm njëra ka përfunduar në barazim pa gola.

Gjithashtu janë shënuar 122 gola në total, një shifër e kënaqshme dhe me një mesatare prej afërsisht 2.5 golash për ndeshje. Vlen të përmendet se, 16 gola janë shënuar me penallti dhe 9 kanë qenë autogolat.

Sistemi i videoarbitrimit (VAR) u konfirmua si risi dhe si protagonist në këtë Botëror, pasi janë akorduar plot 24 penallti, pra mesatarisht një 11-metërsh në çdo dy ndeshje. Nga këto, në gola janë shndërruar 18, ndërsa janë pritur nga portierët ose kanë përfunduar jashtë kuadratit 6 të tilla.

Vetëm 3 skuadra arritën të marrin 9 pikë të plota në grupe, të cilat janë Uruguaji, Kroacia dhe Belgjika. Për herë të parë që nga viti 1982, në fazën e 1/8-ave nuk kualifikohet asnjë skuadër afrikane. Por, jo vetëm kaq.

Mbulimi mediatik ishte spektakolar dhe u sigurua nga 16 mijë përfaqësues anembanë globit. Imponuese, edhe të dhënat e transferimeve, pasi në këtë periudhë në Rusi udhëtuan 1.8 milionë pasagjerë.

Në total u zhvilluan 2.700 teste antidoping, të paktën një për secilin futbollist. Në lidhje me shikueshmërinë, FIFA nënvizoi se ka pasur 98% shitje të biletave, por jo zënie efektive e vendeve në stadiume.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA