Pas 12 orë bisedimesh maratonë në Bruksel, udhëheqësit e BE-së e arritën më në fund marrëveshjen e emigracionit, që i jep një frymëmarrje lehtësimi Angela Merkelit.
Vet e ardhmja e Kancelares gjermane në këtë post rrezikohej, nëse nuk do të dilte me një pakt të pranueshëm mes mosmarrëveshjeve të ashpra me ministrin e saj të Brendshëm, Horst Seehofer.
Lajmin e arritjes së ujdisë e njoftoi përmes “Twitter”-it presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.
“28 krerët e BE-së, – shkroi ai, – ranë dakord me përfundimet e Këshillit mbi emigracionin”.
Në dokument, formulimi mbi mbylljen e qendrave të emigrantëve brenda bllokut është pak i vakët, sipas “Deutsche Welle”-s.
Shtetet e BE-së, që do të kenë dëshirë të ngrenë kampe të tilla, do t’i verifikojnë azilkërkuesit në territorin e tyre. Ndërkohë propozohet që kontrolli i emigrantëve, për sa i takon të drejtave për të kërkuar azil, të bëhet përpara se të arrijnë bllokun.
Shteteve në veriun e Afrikës dhe në Lindjen e Mesme, Bashkimi Europian do t’iu ofrojë ndihmë financiare në këmbim të “dritës jeshile” për ngritjen e qendrave të verifikimit në platformat rajonale ku grumbullohen emigrantët.
Nga sa shpjegoi Merkeli, krerët e unionit ranë gjithahstu dakord për kontrolle të brendshme më të ashpra, në mënyrë që azilkërkuesve të mos u lejohet ta zgjedhin vetë vendin ku do të aplikojnë.
Italia refuzoi fillimisht t’i nënshkruante konkluzionet e përbashkëta të takimit, të cilat përfshinin edhe çështje si “Brexit” apo siguria, nëse më parë qeveritë e BE-së nuk binin dakord mbi emigracionin.
Pjesëmarrësit në samit pranuan gjithashtu t’i paguajnë Turqisë një tjetër këst 3 miliardë dollarësh, në kuadër të marrëveshjes së vitit 2016, që lidhet me përpjekjet e Ankarasë për t’i mbajtur emigrantët larg Europës.
Top Channel