Çështja e emigracionit kthehet sërish, madje me tone alarmante, në samitin e liderëve të BE në Bruksel.

Si do të trajtohen emigrantët pa dokumente, kryesisht afrikanë, që vazhdojnë të rrezikojnë jetët në Mesdhe, me shpresën për të filluar një jetë të re në BE? Kjo do të jetë tema qendrore e samitit.
Fluksi i emigrantëve vazhdon, pavarësisht se nuk bëhet fjalë për një krizë të përmasave të vitit 2015. Këshilli evropian, thotë se numri i personave që hyjnë ilegalisht në BE ka rënë me 96 për qind që nga tetori 2015.

Por, tensionet në lidhje me emigrantët, që tani po ndalohen të hyjnë në portet italiane, e kanë vendosur çështjen sërish nën projektorë. Rregullorja e Dublinit, sipas të cilës azilkërkuesit duhet të qëndrojnë në vendin hyrës të BE, nuk po funksionon.

Italia dhe Greqia, kërkojnë që barra të ndahet me vendet e tjera. Qeveria djathtiste e Austrisë që merr edhe presidencën e radhës së be-së nga 1 korriku, ka po ashtu një qëndrim të ashpër ndaj emigrantëve. Po ashtu edhe grupi i Vishegradit, republika ceke, Sllovakia, Hungaria dhe Polonia, refuzon skemën e BE për kutota refugjatësh.

Por, një vëmendje e madhe do të fokusohet edhe tek kancelarja gjermane, Angela Merkel. Partneri i saj i koalicionit CSU ka kërcënuar se do të mbyllë kufijtë nëse nuk arrihet një marrëveshje, duke sfiduar politikat e Merkel.

Pa CSU ajo humbet shumicën parlamentare. “Sfida e emigracionit, do ta bëjë ose zhbëjë bashkimin evropian”, tha Merkel në një fjalim në Bundestag, para samitit. Sipas saj, fati i BE varet nga aftësia e unionit për të përballuar këtë sfidë. Nëse nuk ia dalim të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, thotë ajo, duhet të marrim në konsideratë koalicionet e vullnetshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA