Ekipi nënkampion i Kosovës në futboll, Prishtina nuk ka shkuar më shumë sesa barazimi 1-1 në transfertë ndaj ekipit amator të Gjibraltarit, Europa FC, në një ndeshje të vlefshme për turin parakualifikues të Europa League.
Kryeqytetasit nga Kosova e panë veten në disavantazh në fundin e pjesës së parë, kur vendasit fituan një 11-metërsh të shkaktuar nga ish-mbrojtësi i kombëtares kuqezi, Armend Dallku. Carreno shënoi nga pika e bardhë dhe çoi ekipet në dhomat e zhveshjes me epërsinë e amatorëve nga Gjibraltari.
Por, prishtinalinjtë u shfaqën me një tjetër ritëm loje, duke rritur presionin në sulm e duke barazuar përmes një goditjeje dënimi nga 25 metra, në minutën e 50 të ndeshjes. Autori i golit ishte Meriton Korenica. Nga ky moment e deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit të ndeshjes nuk do të ndryshonte më asgjë.
Edhe pse një barazim zhgënjyes, ai sërish është i vlefshëm për ekipin më të suksesshëm kosovar, të cilëve u jep mundësi për kualifikim në ndeshjen e kthimit, që do të luhet më 5 korrik në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës.
Top Channel