Një javë festë në Dhërmi, 120 “DJ” dhe 2 mijë turistë të huaj

27/06/2018 15:48

Pavarësisht se koha nuk po premton, kjo nuk i pengon pushuesit britanik të festojnë në jugun shqiptar.

Janë më shumë se 2000 të huaj të cilët janë bërë pjesë e Festivalit të Kalasë, i cili zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.

Për një javë, turistët e huaj kanë shfrytëzuar çdo 24 orë për të kërcyer me performancat e 120 Dj botëror në plazhin e Dhërmiut.

“E dua Shqipërinë. Ka perëndime vërtet shumë të bukur!”, thotë një turiste.

“Mendoj se ky është një nga Festivalet më të mirë që kam qenë ndonjëherë, me njerëz shoqëror. Është një festival ndryshe, sepse ti ke afër detin e kthjellët por gjen edhe gjelbërim. Është vërtet këndshëm”, shprehet një tjetër.

“Shqipëria është një vend i paqtë. Kishim dëgjuar fjalë të mira në Angli dhe menduam se do ishte shumë qejf. S’kisha qenë këtu më parë dhe po më duket bukur”, thotë një angleze.

“Mendoj se ky është një vend special. Ne vërtet po e shijojmë Festivalin dhe Shqipëria është fantastike!”
“Erdhëm sepse një nga shokët e vëllait është Dj këtu, por mendojmë se Shqipëria është vërtet, vërtet një vend shumë i bukur”.

Shqipëria tashmë është bërë pjesë e tregut të festivaleve ndërkombëtar. Ministri i Turizmit, Blendi Klosi i pranishëm në mbylljen e këtij eventi shprehu optimizmin për këtë sezon veror, si dhe për të tjerët që do të vijnë.

“Shpresoj që të bëjmë edhe një festival tjetër brenda këtij sezoni dhe për vitin tjetër të kemi 3-4 festivale duke synuar që në 3 vjet të rrisim numrin e vizitorëve të këtyre festivalëve në 70 mijë, duke shënuar një bilanc superpozitiv për zonën e Dhërmiut. Të gjithë janë të kënaqur e le të shpresojmë që do rikthehen sa më shumë”, shprehet ministri Klosi.

Top Channel