Një komision i Kongresit brazilian miratoi një projektligj kontradiktor, që lehtëson ndjeshëm kufizimet për përdorimin e pesticideve, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga ambientalistët, prokurorët, organizmat shtetërore të shëndetit dhe ambientit, e madje edhe raportuesit specialë të OKB-së.
Projektligji, i nxitur nga një grupim i fuqishëm lobistësh për agrobiznesin, tashmë duhet të votohet në dy dhomat e Kongresit dhe të miratohet nga presidenti Michel Temer, që të hyjë në fuqi.
Nuk është e qartë se çfarë mbështetjeje mund të ketë ky ligj në Kongres, por analistët thonë se përderisa po bëhet gjithë kjo zhurmë për ta ndalur, mbase votat për miratimin e tij janë siguruar.
Propozuesit e ligjit thonë se, ai lehtëson burokracinë dhe modernizon legjislacionin, ndërsa kundërshtarët i kanë vënë tashmë nofkën “paketa e helmit” dhe thonë se do të sjellë përdorim jashtë çdo kontrolli të pesticideve.
Një çështje e tillë, padyshim që ka shumë rëndësi në Brazil, një prej prodhuesve më të mëdhenj të ushqimeve në botë. Ekspertët thonë se, aktualisht në Brazil lejohen mbi 30 pesticide të ndaluara nga BE-ja, e projektligji i ri do të përkeqësojë ndjeshëm situatën.
Projektligji vendos në komandë Ministrinë e Bujqësisë dhe largon nga vendimmarrja dikasteret e Shëndetit dhe Ambientit. Po ashtu, ai iu heq fuqinë autoriteteve lokale që të ndalojnë pesticide të caktuara të miratuara nga Ministria e Bujqësisë.
Analistët thonë se, vet centralizimi i fuqisë për këtë çështje te një ministri lë vend për dyshime, duke e shndërruar “paketën e helmit” në një kërcënim serioz për shëndetin e njerëzve, që qartësisht merr vendin e dytë ndaj interesave ekonomike.
Top Channel