Ardit Hila zyrtarisht futbollisti i Partizanit. Mesfushori 25 vjeçar ka firmosur sot një kontratë 1-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit me 15-të herë kampionët e vendit.
Hila, i cili në fanellë do të mbajë numrin 27, është prezantuar në ambientet e klubit nga drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama, dhe sot do t’i bashkohet të kuqve në Ohër. Mesfushori mbërrin te Partizani pas një eksperience mjaft pozitive me Teutën, teksa në sezonin e kaluar regjistroi 33 aktivizime si titullar, duke realizuar edhe 9 gola.
“Jam i lumtur që jam pjesë e Partizanit. Sot përfunduam gjithçka dhe arritëm marrëveshjen me drejtuesit. Kam patur oferta nga disa klube, por nuk e pata të vështirë të vendosja për Partizanin dhe jam i bindur që kam bërë zgjedhjen e duhur. Partizani është një ekip i madh dhe të veshësh bluzën e këtij klubi legjendë është përgjegjësi për çdo lojtar”, shprehet ai, shkruan SuperSport.
Çfarë synon Hila të arrijë me Partizanin? “Si çdo lojtar shpresoj dhe besoj të bëj më të mirën te Partizani si në aspektin personal ashtu edhe për ekipin. Objektivat e Partizanit janë madhorë dhe sigurisht synoj të fitoj trofe me të kuqtë”
Por Hila ka edhe një mesazh për tifozërinë e Partizanit: “U premtoj të gjithë tifozëve të mrekullueshëm të Partizanit se do të luftojmë deri në fund për të arritur titullin kampion, trofe i cili i mungon prej shumë kohësh klubit.”
Top Channel