Gjermania vijon të mbetet në një situatë të vështirë në këtë Botëror të Rusisë, me kërcënimin për një eliminim të parakohshëm që mbetet ende real. E megjithatë, në mesin e kësaj paqartësie të madhe, Marco Reus është një nga ata lojtarë që e ndien më shumë se kushdo presionin, e padyshim që mezi pret të tregojë vlerat e tij, si në fushën e lojës, ashtu dhe nëpër intervista.
Futbollistit nga Dortmundi iu desh të priste deri në moshën 29-vjeçare për të marrë pjesë për herë të parë në një Kupë Bote. Vështirë të harrohet fakti se, ai konsiderohej si lojtari më i mirë i Gjermanisë përpara Botërorit “Brazil 2014”, një turne ku fatkeqësisht nuk mundi të ishte pjesë e triumfit të gjermanëve për shkak të një dëmtimi vetëm pak para nisjes së tij. Ai mungoi gjithashtu edhe në Europianin e Francës, të vitit 2016.
“Kjo është hera ime e parë në një turne kaq të rëndësishëm, ndaj është një kënaqësi e pamasë të shohësh kaq shumë njerëz që festojnë në zonat e fansave në mbështetjen tonë”, tha Reus në një konferencë për shtyp, përpara se të gjente kohë edhe për një intervistë.
Me aftësitë e pakundërshtueshme për të luajtur qoftë në krahë, ashtu dhe në rolin e mesfushorit sulmues, një lojtar si ai me shpejtësi dhe aftësi dribluese duket se po shijon mundësinë që i është dhënë në Rusi.
“Jam tejet i lumtur që jam pjesë e kësaj aventure, – thotë ai për FIFA-n. – Edhe pse nuk e imagjinonim se do ta nisnim me këto lloj rezultatesh, siç patëm atë ndaj Meksikës, fakt është që ndodhin edhe të tilla gjëra”.
Reus mund të kënaqet gjithsesi me performancën e tij personale atë ditë. Ndërkohë që shumë prisnin që ai të luante si titullar, ai i dha më shumë frymëmarrje kombëtares gjermane kur hyri si zëvendësues. Kjo bëri që ai të siguronte një fanellë titullari në ndeshjen ndaj Suedisë.
“Ndeshja ndaj Suedisë tregoi se ne kemi mentalitetin e duhur dhe karakterin e duhur në momentin vendimtar”, tha ai.
Reus është nga ata lojtarë që mund të vendosin fatet e ndeshjes në momente të caktuara.
“Është e qartë se duhet të bëjmë një lojë më të mirë, por në situatën tonë mendoj se duhet të fokusohemi më shumë në arritjen e suksesit maksimal dhe fitoren e takimeve, në vend që të bëjmë një lojë të bukur dhe të humbasim, – thotë ai. – Megjithatë, ndeshja ndaj Suedisë tregoi se kemi gjithçka na duhet në momentin e duhur”.
Goli i fitores nga Kroos ishte më i voni i shënuar ndonjëherë në një Kupë Bote prej Gjermanisë (përjashto atë të Mario Gotze në kohët shtesë ndaj Argjentinës), duke risjellë në vëmendje atë që thuhet gjithmonë për Gjermaninë: mosdorëzim deri në fundin e ndeshjes.
“Ndaj Koresë së Jugut nuk do ta kemi të lehtë, pasi ata kanë lojtarë më të shpejtë sesa suedezët kur sulmojnë, e gjithashtu mund të mbështeten te kundërsulmet”, paralajmëron Reus përpara ndeshjes së të mërkurës në Kazan. “Por, çdo ndeshje për ne është si një finale tani”.
Top Channel