Vendimi i FIFA-s për nisjen e hetimeve për mënyrën e festimit të dy futbollistëve shqiptarë, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, në fitoren 2-1 të Zvicrës me Serbinë ka sjellë dhe reagimin e presidentit të FSHF, Armand Duka, në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Sipas kreut të qeverisë së futbollit shqiptar, ky vendimet i organeve të FIFA-s është sa qesharak aq edhe primitiv:
“Futbolli është një lojë që ka emocione të forta dhe të bukura. Në çdo ndeshje të Botërorit shikon mënyra të ndryshme të festimit të golave. Edhe Xhaka e Shaqiri festuan në mënyrën e tyre golat e shënuar. Simboli i Shqiponjës nuk është aspak një simbol i ndaluar në asnjë vend të Botës. Nuk është simbol lufte, urrejtjeje dhe diskriminimi. Kërkesa për investigim në FIFA për mënyrën e festimit të Xhakës dhe Shaqirit është, sa qesharake aq edhe primitive. Simboli i Shqiponjës në Flamurin tonë kombëtar nuk ka pse të shqetësojë askënd!”
Një ditë më parë kanë reaguar edhe dy ministra të qeverisë zvicerane kanë mbështetur Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin në lidhje me festimin e golave që i dhanë fitoren 2-1 Zvicrës ndaj Serbisë, në ndeshjen e grupit E të Botërorit “Rusi 2018”.
“Kushdo që e ka provuar atmosferën e një ndeshjeje mund ta kuptojë shumë mirë emocionin që përfshin lojtarët”, tha Guy Parmelin, ministër i Mbrojtjes dhe Sportit për Neue Zürcher Zeitung (NZZ).
Ndërsa kancelari i Zvicrës, Ignazio Cassis deklaroi: “Nuk kam dyshim fare se Xhaka dhe Shaqiri ndjejnë emocione patriotike për tokën që i ka mirëpritur, pa harruar rrënjët e tyre”.
Në lidhje me mundësinë që futbollistët kosovarë të ndëshkohen me dy ndeshje pezullim, Presidenti i Federatës Zvicerane të Futbollit, Peter Gillieron, tha prerë: “Do të ishte goditje e rëndë nëse do të ndëshkohen”.
Top Channel