Edhe pse Djibril Sidibe dhe Florian Thauvin nuk janë aktivizuar ende me Francën në Botërorin e Rusisë, ata mbeten më të motivuar se kurrë dhe të ndërgjegjshëm për rolin që duhet të luajnë si lojtarë të disponueshëm në skuadrën e “Les Bleus”.

Vetëm pak javë më parë, mbrojtësi i djathtë i Monacos, Sidibe shihej si kandidati kryesor për të qenë titullar në Rusi. Një dëmtim i parakohshëm, shoqëruar me disa performanca të shkëlqyera të Benjamin Pavard, bënë që ai të zbriste shkallët brenda ekipit të Francës.

“Jam i lumtur që jam në një Kupë Bote”, shprehet me buzëqeshje Sidibe, i cili mbetet i gatshëm gjithsesi për t’u thirrur në detyrë, edhe pse e quan veten me fat që arriti të udhëtojë deri në Rusi. “Kur stërvitesh përditë me të tillë lojtarë cilësorë, sigurisht që do të përparosh”.

Sulmuesi i Marsejës, Thauvin e gjen veten në një pozicion të ngjashëm me Sidibe, edhe pse nuk përbën surprizë duke parë konkurrencën e madhe në këtë rol, si dhe statusin e tij të të “sapoardhurit” në kombëtaren e “gjelave”.

25-vjeçari ka shkëlqyer në stërvitje, madje shënoi një trigolësh në miqësoren e fituar 11-0 ndaj 19-vjeçarëve të Spartakut të Moskës, në të njëjtën ditë kur Franca mezi triumfoi 1-0 ndaj Perusë.

Lojtarët e “stolit”, në frëngjisht njihen si “coiffeurs”, duke qenë se synimi i tyre përfundimtar është të “marrin” vendin e titullarit. Didier Deschamps ka thurur lavde për sjelljen shembullore të të rinjve të tij dhe sesa shpejt arritën të përshtaten me pjesën tjetër të grupit, edhe pse objektivi parësor i tyre është të mos ngrohin pankinën përgjatë të gjithë edicionit të Kupës së Botës.

“Sigurisht që dua të luaj, për këtë gjë kam ardhur këtu. Kam dhënë më të mirën time, por e di që është e vështirë të zesh vendin e titullarit”, tha Thauvin, i cili luante në krah të Paul Pogba dhe Samuel Umtiti kur Franca fitoi Kupën e Botës për U20 në Turqi në vitin 2013.

Konkurrencë mund të ketë, por që të dy lojtarët janë të vendosur të japin kontributin e tyre. “Trajneri bën zgjedhjet e tij. Kemi folur mes nesh për këtë gjë, motivojmë njëri-tjetrin dhe përpiqemi të bëjmë sa më mirë të mundemi”, thotë Sidibe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA