A do të mund të kishte pasur për Nigerinë një pjesëmarrje në Kupën e Botës pa i dalë përpara Argjentina? Një pyetje e vështirë, për një statistikë po aq të befasishme.

“Rusi 2018” shënon pjesëmarrjen e 6 në histori të “Supershqiponjave” afrikane në një Botëror, por për të pestën herë në histori ata përgatiten të përballen me formacionin “Albiceleste” në një turne të tillë.

Duke qenë se Kroacia e siguroi kualifikimin nga grupi D, Nigeria dhe Argjentina do të përplasin sërish brirët, këtë herë në stadiumin e Shën Pjetërburgut, me synimin për të prerë biletën në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë të Botërorit “Rusi 2018”.

Por, përpara kësaj përplasjeje vendimtare, FIFA nxjerr nga arkivat e saj detaje nga takimet e mëparshme në kupat e botës, nga takimi i parë në “SHBA 1994” e deri te takimi më i fundit në “Brazil 2014”.

SHBA 1994 – Argjentinë 2-1 Nigeri, “Foxboro Stadium”, Boston

Dhunti, stil e fuqi! Nigeria habiti fansat anembanë botës me lojën e mrekullueshme të shfaqur gjatë debutimit në një Kupë Bote, atë të vitit 1994 në Shtetet e Bashkuara. Pasi ata regjistruan një fitore 3-0 ndaj Bullgarisë në ndeshjen debutuese, ndërsa Argjentina do t’i shënonte 4 herë Greqisë, fishekzjarret ishin bërë gati për përballjen mes dy ekipeve në Boston. Samson Siasia do t’i kalonte në avantazh “Supershqiponjat”, por një dygolësh i Claudio Caniggias do t’i shihte amerikano-latinët të përmbysnin rezultatin brenda pjesës së parë. Që të dyja skuadrat do të kualifikoheshin në fazën e 1/8-ave.

Kore-Japoni 2002 – Argjentinë 1-0 Nigeri, “Kashima Stadium”, Ibaraki

Edhe pse të dyja këto kombëtare munguan në “France 1998”, Argjentina e Nigeria do të ritakoheshin me njëra-tjetrën në turneun e radhës, në Korenë e Jugut e Japoni gjatë vitit 2002, që shënoi edhe herën e parë që finalet e një Botërori zhvilloheshin në Azi. Në ndeshjen e parë të grupit F, një gol me kokë në pjesën e dytë nga Gabriel Batistuta bëri diferencën. Kjo do të ishte edhe fitorja e vetme e formacionit “Albiceleste” në këtë turne, ndërsa Nigeria nuk do të arrinte asnjë fitore. Të dyja ekipet dështuan të kalonin grupin.

Afrikë e Jugut 2010 – Argjentinë 1-0 Nigeria, “Ellis Park Stadium”, Johannesburg

E bekuar me një sulm jashtëzakonisht të frikshëm, të përbërë nga Carlos Tevez, Gonzalo Higuain dhe Lionel Messi, heroi i golit të vetëm të Argjentinës do të bëhej një emër i papritur nga tifozët. Mbrojtësi Gabriel Heinze do të kalonte në avantazh amerikano-jugorët pas vetëm 6 minutash, sërish me kokë, duke i shkaktuar humbjen e parë Nigerisë në një Kupë Bote që prej vitit 2002. Të udhëhequr nga trajneri Diego Maradona, një veteran gjatë përballjes së parë në një Kupë Bote mes dy ekipeve, formacioni “Albiceleste” do të arrinte deri në fazën e çerekfinaleve, ndërsa Nigeria do të kthehej në shtëpi pas fazës së grupeve.

Brazil 2014 – Nigeri 2-3 Argjentinë, “Estadio Beira-Rio”, Porto Alegre

Argjentina do të siguronte kreun e grupit F, ndërsa Nigeria do të renditej menjëherë pas saj, në një përballje të paharrueshme gjatë Botërorit të Brazilit. Lionel Messi, fituesi i Topit të Artë pas edicionit, si dhe Ahmed Musa do të shënonin nga një dygolësh secili, ndërsa diferencën do ta bënte Marcos Rojo, duke ruajtur kështu rekordin perfekt të Argjentinës përballë “Supershqiponjave” në finalet e një botërori: fitore, që të gjitha me një gol diferencë.

Tashmë lind pyetja: A do të arrijë Argjentina fitoren e 5-të në po kaq përballje ndaj Nigerisë gjatë së martës? Apo formacioni afrikan do t’i japë fund ecurisë negative përballë formacionit “Albiceleste”?

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA