Pasi triumfoi ndaj Gjermanisë në ndeshjen e parë, Meksika nuk e ka pasur të vështirë të mposht edhe Korene e Jugut me një fitore 2-1 dhe tashmë është thuajse e kualifikuar për në fazën e ardhshme.
Meksikanët dominuan nga fillimi në fund takimit, ndërsa golin e parë e gjetën me një 11-metërsh në minutën e 26 me autor Vela-n.
Edhe në vazhdim ishin sërish meksikanët ata që dominuan dhe në minutën e 66-të shënuan edhe golin e dytë me autor Chicharito.
Ndërkohë, goli i vetëm për Korenë e Jugut u shënua në minutat e shtesës nga Son Heung-Min.
Me këtë fitore, Meksika shkon në kuotën e 6 pikëve, por ende matematika nuk e lejon të bëhet zyrtar kualifikimi, pasi ekziston mundësia që 3 skuadra të përfundojnë në kuotën e 6 pikëve.
Në rast se Gjermania do të fitojë në mbrëmje me Suedinë e më pas edhe me Korenë e Jugut në ndeshjen e tretë në grup do të shkonte në kuotën e 6 pikëve. Po ashtu, edhe Suedia nëse do të triumfonte ndaj Meksikës në takimin e fundit, do të kishim 3 skuadra me nga 6 pikë në këtë grup dhe do të ishte golavarazhi ai që do të vendoste më pas kush do të ishin dy skuadrat e kualifikuara.
Top Channel