Kupa e Botës dhe konflikti në Ukrainën lindore

22/06/2018 18:15

Ndërkohë që qindra mijëra tifozë po ndjekin ndeshjet e Kupës së Botës në Rusi, vëzhguesit e armëpushimit në kufirin e Ukrainës lindore thonë se ka patur një rritje të dukshme të dhunës ditët e fundit, duke përfshirë përdorimin e armëve të rënda.

Presidenti i Rusisë Putin foli në telefon të enjten me homologun e tij ukrainas, por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, të dyja palët nuk janë më afër arritjes së marrëveshjes mbi zbatimin e plotë të marrëveshjes së paqes të arritur në Minsk:

Në Donetsk, kryeqyteti de fakto i rebelëve në Ukrainën lindore, që mbështeten nga Rusia, vendasit i shikojnë ndeshjet e Kupës së Botës si të gjithë tifozët e tjerë të futbollit në të gjithë botën. Por, ata jetojnë në një zonë lufte dhe aktivitetet përfundojnë në orët e para të mbrëmjes.

“Nuk është më interesante, është më mirë të shikosh ndeshjet në shtëpi. Ne nuk i shikojmë ndeshjet që fillojnë në orën 9 të mbrëmjes”, thotë Aleksandri, pronar e një restoranti në Donetsk.

Jashtë qytetit, luftëtarët rebelë po gërmojnë llogore të reja.

“E dini shprehjen: nëse doni paqe, përgatituni për luftë”, thotë Andrei një luftëtar i rebelëve të mbështetur nga Rusia.

Një luftë që po ndodh përtej kufirit, ku qindra mijëra tifozë janë mbledhur për të parë ndeshjet e Kupës së Botës. Stadiumi i Rostovit ndodhet vetëm 200 kilometra nga vija e frontit.

Rusia është në qendër të vëmendjes globale sportive, por konflikti në krahun e saj perëndimor ende po vazhdon. Armëpushimi i mbikqyrur nga OSBE-ja shkilet dhjetëra mijera herë në muaj.

“Javën e kaluar për shembull kemi parë mbi 7,400 shkelje të armëpushimit. Ishte në fakt një rritje prej 20 për qind krahasuar me javën e kaluar. Dhe kjo përfshinte shumë herë përdorimin e armëve të rënda”, thotë Alexander Hug i misionit mbikqyrës të OSBE-së.

Vëzhguesit thonë se të dyja palët po shkelin armëpushimin, por shumica e shkeljeve kryhen nga forcat e mbështetura nga Rusia.

Më 15 qershor ata gjuajtën dy raketa tokë-ajër në drejtim të një droni që përdoret nga OSBE-ja për monitorimin e vijës së fronit, jo shumë larg nga vendi ku në vitin 2014 u rrëzua një avion i kompanisë Malaysia Airlines.

“Ka vetëm një arsye pse kjo po ndodh. Ata dëshirojnë të pengojnë teknologjinë tonë, ata që ndalojnë patrullat tona nuk duan që ne të shohim faktet në terren”, thotë Alexander Hug i misionit mbikqyrës të OSBE-së.

Marrëveshja e Minskut e arritur në vitin 2015 për t’i dhënë fund konfliktit është shkelur vazhdimisht. Ministrat e Jashtëm të Rusisë, Ukrainës, Gjermanisë dhe Francës në takimin e tyre javën e kaluar nuk arritën të bien dakord mbi vendosjen e një force paqeruajtëse të OKB-së në rajon.

“Ka një mospërputhje të madhe të ideve mbi mandatin që një mision i tillë do të duhet të kishte, mënyrën se si do të formohej dhe në cilat territore duhet të ketë autoritet”, tha Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas.

Deri në tjekalimin e këtyre ndryshimeve, cikli i dhunës në Ukrainë ka të ngjarë të vazhdojë. Ndërsa Rusia feston organizimin e Kupës së Botës, forcat rebele të mbështetura nga Moska po gërmojnë llogore të reja dhe lufta po vazhdon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA