Botërori Rusi 2018 nuk ka qenë skena e ringjalljes të një protagonisti të rikthyer në futbollin e madh, Hector Cuper. Pritshmëritë e Egjiptit u shuan fillimisht me dëmtimin e Salah, më pas edhe me dy humbjet radhazi me Uruguajin dhe Rusinë, duke bërë që federata ta nxitojë divorcin me argjentinasin.
Hector Cuper është padyshim një humbës i madh i futbollit në Evropë. Një prej trajnerëve më të kërkuar në fillimin e mijëvjeçarit të ri, me afësinë e tij për të marrë maksimumin nga futbollistët, por asnjëherë fitues me skuadrat. Asnjëherë. Jo të gjithë trajnerëve u qëllon që të shkojnë në finalet e Kupave të Evropës me skuadra të vogla dhe ai e provoi me Majorkën dhe dy herë me Valencian, përpara se të merrte damkën me Interin, në dështimin më të madh, kur u mund nga Lazio 4-2. Dhe kjo ishte një finale e madhe.
Të njejtin fat e shpërdoroi edhe në vitin 2003, në gjysmëfinalen me Milanin. Pas kësaj gjithçka ka shkuar keq, kur fillimisht u shkarkua nga Breshia në vitin 2003. Dështimet vijuan te Majorka, Betis, Parma, Racing Satander, si edhe eksperiencat në Turqi dhe Arabi Saudite. Të gjitha kanë përfunduar me dorëheqje ose shkarkim, pa mundur të ngjitet në shkallën më të lartë të futbollit.
Edhe pse bëri mirë te Egjipti, duke arritur kualifikimin në Botëror, pas 28 vjetësh, prapë në faturën e tij është finalja e humbur me Kamerunin në Kupën e Afrikës. Dhe Rusi 2018 përfundoi përpara kohe, me dy humbjë në dy ndeshje.
Top Channel