Protesta të dhunshme shoqëruan në Shkup njoftimin e arritjes së marrëveshjes së emrit, që i jep fund përplasjeve 27-vjeçare me Greqinë.

Nën thirrjet “tradhti” dhe “kapitullim”, një grup tubuesish u përleshën me policinë përballë ndërtesës së Parlamentit. 25 të ndaluar dhe 7 efektivë të plagosur ishte bilanci i mbrëmjes që errësoi euforinë e nënshkrimit të paktit në Prespë.

Protesta pati edhe në qytetin e Manastirit, të organizuara nga partia opozitare VMRO-DPMNE, lideri i së cilës, Hristijan Mickovski tha se partia e tij asnjëherë nuk do të njohë marrëveshjen, pakënaqësitë ndaj së cilës nuk kanë munguar as në anën tjetër të kufirit.

Pakti historik mori udhë me firmat e ministrave të Jashtëm Dimitrov e Kocias në Psarades dhe fjalimet shpresëdhënëse të Aleksis Tsipras e Zoran Zaev për të ardhmen e fqinjësisë së dy popujve ballkanikë. Ujdia i hap tashmë Maqedonisë së Veriut apo “Severna Makedonijas” mundësinë e çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Të pranishëm në ceremoni ishin, veç zyrtarëve më të lartë qeveritarë të Shkupit dhe Athinës, edhe ata të Brukselit: shefja e diplomacisë europiane Federica Mogherini dhe komisioneri i zgjerimit Johannes Hahn, si dhe zyrtarja e lartë e Kombeve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo e ndërmjetësi Mattheë Nimetz.

Vendimi tani duhet të miratohet edhe në parlamentet e dy vendeve, ku partitë opozitare janë hedhur në sulm ndaj tij me arsyetimin se është i dëmshëm për popujt e tyre. Njohësit e rrethanave politike mendojnë sidoqoftë se Maqedonia del e fituar nga kjo marrëveshje, e cila e lejon që të ruajë identitetin dhe gjuhën, ndërsa edhe Greqia vetë nuk humbet asgjë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA