Humbja e Gjermanisë ndaj Meksikës në debutimin e kampionëve në fuqi të botës është rezultati më surprizues deri tani në Rusi 2018. Seleksioni i drejtuar nga Low dështoi në premierën e turneut ku është favorite kryesore, si për ironi në të njëjtin stadium ku “Panxerat” synojnë të luajnë finalen e madhe të 15 Korrikut.
Meksika mori epërsinë me një kundërsulm fatal që gjeti të papërgatirur prapavijën e Gjermanisë. Hernandez shërbeu më së miri në të majtë për Lozanon dhe futbollisti i PSV Eind’hoven finalizoi në rrjetën e rivalëve.
“Panxerat” tentuan të përgjigjen por 3 minuta më vonë, traversa i mohoi golin Toni Kros, pas një devijimi të lehtë por vendimtar nga Oçoa. Rinisja e lojës në stadiumin Luzhniki nuk solli asnjë ndryshim dhe lojtarët e mbajtën ritmin e lartë. Gjermania e hedhur e tëra në sulm la hapësira në prapavijë por meksikanët dështuan disa herë për të mbyllur llogaritë.
Brand kishte shansin e fundit real për të barazuar rezultatin por zëvendësuesi nuk mundi dot të evitojë humbjen e kampionëve. Tani në përballjen e dytë Gjermania përballet me Suedinë.
Top Channel