Disa në Argjentinë kënaqen me gëzimin që u sjell. Të tjerë ndiejnë se nuk ka lidhje emocionale me vendin. A do ta shfrytëzojë Mesi mundësinë e fundit për të fituar një botëror?

“Sa herë që s’më zë gjumi, shoh golat e Mesit në Youtube”, tha regjisorja argjentinase Lucrecia Martel. Kur e pyetën nëse e vënë në gjumë, ajo tha: “Më japin paqe, më rikthejnë besimin”.

Shumë argjentinas fitojnë besim kur shohin Mesin të luajë. “Mesi është gjeniu i parë i shekullit të 21-të”, thotë Jorge Valdano, “dhe ura e fundit midis rrugës dhe akademisë. Nëse topi ishte një vegël muzikore për Maradonën, për Mesin është mjet që ai e përdor me një ndjesi mahnitëse saktësie”.

Veldano ka luajtur me Argjentinën herën e fundit që fituan një botëror, në vitin 1986, dhe ka qenë përkrah Maradonës. Kështu që ai nuk e përdor fjalën “gjeni” kot më kot. Përpjekjet për të shpjeguar gjenialitetin e Mesit kanë shkaktuar shkrime librash të ndryshëm që nuk mund të anashkalohen. Mes tyre bie në sy libri i Ramiro Martin, “Një gjeni në shkollën e futbollit.”

“Aimari thoshte që njeriu në fushë nuk mendon, thjesht merr vendime”, shkruan Martin, duke iu referuar ish lojtarit të Argjentinës. “Mesi e bën këtë brenda një sekonde, dhe 90% të kohës merr vendimet e duhura”.

“Mesi është dy-tre lojtarë njëherazi”, ka thënë një herë Javier Mascherano, dhe tani së fundmi ma shpjegoi se ç’do të thotë: “Leo bën atë që në ekipe të tjera duhen tre lojtarë për ta bërë. Ai merret me anën kreative të lojës, përmbylljen e aksionit me gol por edhe me pasimet për gol”.

Të dhënat statistikore të Mesit janë një dëshmi e kësaj. Ai ia ka kaluar shumicës së lojtarëve për numër golash të shënuar, por edhe për numër pasimesh. Mascherano mendon se përmirësimi i vazhdueshëm e bën Mesin edhe më spektakolar. “Ai është gjithnjë në fazë evoluimi. Bëhet lojtar më i mirë, vit pas viti”.

Duke qenë gjenial në fushë dhe shumë larg kamerave jashtë fushës, e ka bërë Mesin edhe më enigmatik. Ai flet shumë pak, dhe kur flet nuk është se mahnit. Shkrimtari John Carlin tha një herë se e kishte marrë Mesin dy herë në intervistë, por nëse ia ofronin sërish, do të refuzonte. “Është i ndrojtur”, thonë të gjithë, dhe më pas shtojnë pothuajse gjithnjë: “Është shumë i tërhequr në vetvete, sesa i ndrojtur”. Ajo që s’mund të diskutohet, është që Mesi ka cilësi prej dijetari. Dhe kjo është ajo që ngjall interes.

Në botërorin e vitit 2014, Argjentina u vendos në vend të dytë, duke luajtur çdo minutë të kampionatit me gjithë shpirt. Megjithatë, në shtëpi morën qortime shumë të ashpra, të cilat u kujtonin gabimet, gjërat që mund të kishin bërë, etj. Mesi duhet të mbajë një barrë shumë të rëndë për faktin që është argjentinas dhe që nuk ka fituar asnjë trofe madhor për vendin e tij, dhe kjo është qesharake dhe e padurueshme.

Kontrasti midis klubit dhe vendit është pyetja që bëhet më shumë se gjithë të tjerat, kur vjen puna te Mesi, që kur u ul në stolin e rezervave, në vitin 2006, i mërzitur, teksa shihte Argjentinën të mposhtej nga Gjermania. Si ka mundësi që jep aq shumë për Barcelonën dhe aq pak për Argjentinën? Mos ndoshta prej Andres Iniestas? Një nga kritikat ishte që nuk këndon himnin dhe që s’ka luajtur kurrë në kategorinë e parë të vendit të tij.

Është krijuar perceptimi se ai është një fitues i etur për lojë (për Barcelonën) dhe një i huaj i shkëputur e pa emocione (për Argjentinën). Autori Andres Burgo është kundër kësaj. “Mesi s’ka qenë kurrë i etur apo i shkëputur”, shkroi ai në vitin 2015. Kjo erdhi pas “fiaskos” së vitit 2014, kur Mesi e udhëhoqi Argjentinën në një tjetër finale, në Kupën e Amerikës, ku humbën kundër Kilit.

Mesi pas humbjes kundër Kilit, në finalen e Kupës së Amerikës, 2016. Pas humbjes hoqi dorë nga kombëtarja, por e bindën të kthehej sërish.

Pas mposhtjes së Argjentinës nga Kili në finalen e Kupës së Amerikës, në vitin 2016, Mesi dha fillimisht dorëheqjen nga futbolli në shkallë ndërkombëtare, por më pas u tërhoq nga ai vendim.

I etur, i shkëputur, i tërhequr e ndonjëherë “thjesht një lojtar më shumë në ekip”, apo “thjesht një lojtar normal”, janë përshkrime shumë të veçanta për një prej njerëzve më të famshëm në botë. “Je më i famshëm se Coca-COla”, i tha gazetari politik Luis Majul, disa muaj më parë, gjatë një interviste në Argjentinë. Dhe Mesi qeshi. Pse? Prej vetë faktit, apo prej natyrës së krahasimit? Majuli e pyeti sikur po fliste me një fëmijë, (sepse intervistuesit flasin me të sikur të ishte fëmijë). “Pse qesh? Është e vërtetë”, i tha ai. Mesi u përgjigj duke ngritur supet, sikur thoshte “Nuk e di, s’e shoh veten ashtu”.

Në një intervistë më të fundit, gazetari i programit “Libero” vizitoi muzeun personal të Mesit, që është plot me trofe, topa e bluza të firmosura nga ish shokët e skuadrës, rivalë e legjenda. Ai krenohet me të Iniestas, shtesa më e fundit në koleksion. “Nuk ia kërkova bluzën më parë sepse po e shijoja si lojtar”, tha ai. Tani që Iniesta iku nga Barcelona, ia kërkoi. Mesazhi i Iniestës në bluzë: “Je numri 1! S’ka si ti!”.

Agjentët e Mesit janë përpjekur shumë të vënë në dukje faktin që ai jep shumë intervista për mediat argjentinase. Imazhi i tij i ri jep pamjen e një Mesi më të pjekur, tani që është prind. Një Mesi që ka fituar aftësi drejtuese, që është më i sigurt në vetvete dhe që guxon të jetë ai që do të jetë. “Mjekra e tij si ornament,e tregon si prej ish të dënuari, si diçka në modë”, thoshte komenti cinik i provokuesit shoqëror, Esteban Schmidt, në Argjentinë. Tatuazhet tipike si të Beckham-it, (të paktën një është hequr), tregojnë një Mesi më mashkullor, më muskulor. Tani nuk është më i turpshëm dhe antishoqëror. Tani është udhëheqësi i ri.

“Pavarësisht përpjekjeve të medias për ta kthyer në Maradonë, ai nuk zgjedh lojtarë, nuk zgjedh skuadra, nuk dikton formacione dhe as rreshtime”, tha një burim nga brenda ekipit të Mesit për të kundërshtuar fjalët e përhapura në Argjentinë. Shumë debate u përhapën edhe nga fakti që ai kërkoi të mos luante në një ndeshje miqësore me Spanjën, për shkak të një problemi me muskujt. Ai u detyrua të futet në dhomën e zhveshjes pas gjysmës së parë për të dhënë një shpjegim. Në botërorin e Brazilit, në vitin 2014, pas një formacioni që fillimisht rrinte në mbrojtje, thuhet që Mesi i tha trajnerit Sabella që lojtarët nuk ishin të lumtur, e që duhej një formacion më sulmues.

Debatet për mënyrën e tij të vepruarit vijnë që vite më parë. Thuhet që ai u ka çuar SMS menaxherëve me kritika për autobusin pas ndeshjes, ndërkohë që ishte disa ndenjëse larg menaxherit. Ndihet më rehat kur dërgon SMS sesa kur flet. Juan Sebastian Veron tha se e vetmja herë kur e kishte parë aq nervoz sa për të mos fjetur sa ç’duhet (Mesi fle dy orë më shumë se shumica e atletëve, dhe ka një orar të shenjtë gjumi në drekë), ishte kur duhej t’i fliste skuadrës si kapiten në vitin 2010. Veron tha se Mesi bënte ecejake nëpër dhomë duke shpërndarë ankthin e tij te të tjerët.

Mesi në botërorin 2014, kundër Holandës. Një nga trajnerët e tij fizikë thotë: “Njësoj si Maradona, koordinimi i tij neuromuskulor ka fuqi kozmike. Bën dy hapa me njërën këmbë edhe në shpejtësi maksimale.”

Për Mesin, telefoni është miku më i mirë. U tha se gjatë ndeshjeve miqësore midis Mançesterit dhe Real Madridit ai kishte ndenjur me kokën mbi ekranin e celularit edhe gjatë ngrënies. Lojtarët e rinj që e adhuronin nuk guxonin të afroheshin. Mjeku i tij, Jose Brau, tha: “Që ta kuptosh, duhet t’i shohësh gjuhën e trupit. Kur e ka ulur kokën mbi celular është si të ketë vënë një tabelë ‘mos më shqetësoni’”.

Ndonjëherë ai duket sikur e ka ulur kokën edhe në fushë, por arrin të shënojë disa nga golat më të pamundur në dukje. Dhe fusha është vendi ku duhet vëzhguar më mirë. “Një mrekulli gjenetike”, më tha Fernando Signorini, që ka punuar si trajner me futbollistët për gjithë jetën, dhe që ka drejtuar stërvitjet fizike të Argjentinës gjatë botërorit 2010. “Njësoj si Diegoja, koordinimi i tij neuromuskulor ka fuqi kozmike. Ka një aftësi për të kontrolluar trupin në kohë e hapësirë në mënyrë pothuajse të pamendueshme, duke sfiduar forcën e rëndesës. Në shpejtësi maksimale, ai mund të bëjë dy hapa me të njëjtën këmbë dhe me topin përpara. Jam përpjekur ta bëj në rërë, dhe s’e bëj dot. Leoja dhe Diegoja e bëjnë vazhdimisht, me shpejtësi të madhe, të rrethuar nga lojtarët më të mëdhenj në botë të cilët përpiqen ta ndalojnë. Ashtu do ta përkufizoja gjenialitetin e tij”.

Sfida më pas është për të krijuar mjedisin që i jep më shumë mundësi të ketë sukses. Menaxherët e ndryshëm të Argjentinës kanë shpenzuar shumë kohë, jo vetëm duke takuar Mesin gjatë udhëtimeve të tij të rregullta në Barcelonë, por edhe duke pyetur Pep Guardiolan, trajnerin që shihet si personi që ka më shumë ndikim te ai. Guardiola thuhet se i ka thanë Sabellas: “Foli sa më pak, vetëm kur të jetë patjetër e nevojshme.”

Martini mban mend se si Guardiola vendoste disa video para Mesit, të cilat i shoqëronte me disa nënkuptime të lehta: “Si thua sikur të përdorim këtë?”. Ose: “Më duket se kemi një mundësi të mirë po të përdorim këtë”.

“Sugjeroja,” thotë Guardiola. “Pastaj lëre të qetë.”

Jorge Sampaoli po ashtu ka folur me Guardiolën. Trajneri i Argjentinës duket se po thyen enigmën e Mesit. Burime pranë futbollistit thonë se ishte shumë i kënaqur pas takimit të parë, sepse folën vetëm për futboll. Ai po ndjek qëndrimin e Guardiolës, për të mos dalë nga tema.

Ankthi që ndien Mesi kur humbet është i qartë. Pamja e tij, duke qarë në krahët e Mascheranos, pas mposhtjes në finale, tërheqja e papritur nga futbolli ndërkombëtar pas një tjetër humbjeje (e bindën që të kthehej prapë), tregojnë se stresi i tij arrin në një pikë të padurueshme.

Por absurditeti që përfaqëson flamuri kombëtar si barrë, është një pengesë e vazhdueshme. I është kthyer kundër në mënyrat më të papritura. “Mendon se i detyroheni popullit argjentinas për kupën e botës?”, e pyetën. “Ne i detyrohemi vetëm vetes”, u përgjigj Mesi.

Kjo deklaratë u ndoq nga debate të shumta. “Mesi nuk ndihet në borxh me kombin e tij. Një tradhtar, i motivuar nga paratë e Barcelonës, të sponsorizuara nga Katari, dhe i pamotivuar nga lavdia emocionale e kombit.”

Psikologu sportiv, Marcelo Roffe, i cili ka punuar me brezin e lojtarëve të Mesit që në rini, tha se i sëmuri nuk është Maradonia, por shoqëria argjentinase. “Si mund të përgatitet psikologjikisht një person për të toleruar helmin e suksesit? Nuk është e lehtë”, thotë ai.

Mesi dhe Maradona kanë të njëjtin flamur. “Si argjentinas, ne kemi bërë shumë për ta dëmtuar Maradonën. Le të shpresojmë që me Mesin do të mësojmë ta ndryshojmë sjelljen”, thotë Roffe.

Mesi e ka shijuar më shumë futbollin me Barcelonën. Familjariteti me shokët e ekipeve është shumë i madh. Ndoshta është vërtet njeri i vesit. Ai duket se e pëlqen shumë rregullin dhe vetë është njeri i rregullt. Argjentina mund t’i ngarkojë më shumë kaos se ç’mund të përballojë. Ndryshe nga Maradona, i cili ushqehej me konflikt dhe i dilte përballë kundërshtarëve, Mesi duket se ka nevojë për bashkëpunim që të ketë sukses. Ai funksionon më mirë si pjesë e një makinerie të programuar mirë. Është e vështirë që këtë koncept ta zbatosh te Argjentina.

Shumë argjentinas janë dashamirës futbolli në kuptimin më të pastër të fjalës. Kënaqen thjesht me faktin që ata dhe Mesi janë nga i njëjti vend. “Të dua siç je, pa kupa e pa trofe”, thotë Alejandro Wall, plot mirënjohje, duke folur kështu në zërin e miliona të tjerëve. Por shumë të tjerë, e ndoshta mediat janë më fajtore për këtë, ndiejnë se diçka nuk është e plotë.

Mascherano më tha se Mesi ka ndikim të madh në lojën e ekipit. Ai beson gjithashtu se versioni më i mirë i Mesit varet nga ekipi, dhe Mesi duket se i bën jehonë kësaj ideje, duke përmendur shpesh që i vetëm nuk fiton dot asgjë.

Maradona fitoi një kupë bote për Argjentinën, praktikisht i vetëm fare por me një çmim shumë të madh ndaj vetes e ndoshta ndaj egos kolektive të kombit.

“Kjo duhet të bëhet shumë e qartë. Mesi nuk është Maradona, duam apo s’duam ne,” thotë Roffe. “Si argjentinas, ne kemi bërë shumë për ta dëmtuar Maradonën. Vazhdojmë ta konsumojmë si të ishte një lloj lënde. Le të shpresojmë që me Mesin do të mësojmë ta ndryshojmë sjelljen”, thotë ai.

Kjo është mundësia e fundit e Mesit për të fituar një kupë bote, ndaj presioni bie edhe mbi 22 lojtarët. Janë të aftë ta ndihmojnë gjeniun? Do të ndryshojë gjë? Kur u pyet nëse ky do të jetë botërori i Mesit, Sampaoli tha: “Është ky, botërori tjetër dhe një tjetër pas tij.” Por Mesi s’do të luajë deri sa të bëhet 50 vjeç, u tha nga turma. Sampaoli u përgjigj: “Nuk e di.”

Marcela Mora y Araujo, The Guardian

Top Channel