Nën ritmet Afro-beats; Trendi i ri i kërcimit, jo vetëm në Afrikë

15/06/2018 11:43

Afro-beats, apo ritmet afrikane kanë pushtuar popin afrikan dhe jo vetëm gjatë viteve të fundit por tashmë ky stil vjen si një sfidë e vërtetë. Afro EDM, muzika e kërcimit elektronik, po njihet gjithnjë e më shumë.

Miksimi i disa zhanreve muzikore, duke nisur nga muzika house, tekno, daullet dhe basi, janë kombinuar me fankun dhe soulin duke krijuar afro-beats, që deri tani është pëlqyer nga miliona fansa në mbarë botën. Dhe lehtësisht mund të kuptosh pse: është e thjeshtë, afro-beats bën zemrën të rrahë dhe trupin të lëvizë.

Ritmi afrikan njihej prej dekadash, me të rinjtë në Afrikën e Jugut që përdornin Kwaito për të shprehur lirinë e tyre pas aparteidit. Por lulëzimin, ky ritëm e gjeti tani, falë teknologjisë, që aksesin e bën më të lehtë.

Kulmi për këtë vit do të shënohet këtë javë në Barcelona të Spanjës, në festivalin “Sonar” ku për 3 ditë me radhë, muzika afrikane dhe Dj më të famshëm të momentit, do të ndezin skenën për mijëra spektatorë. Dhjetëra këngëtarë e DJ e kanë përqafuar këtë stil, duke nisur nga Rihana e Black Coffee, apo mister Eazi, një nga yjet më të mëdhenj të muzikës në Afrikë.

Nigerian, nga origjina, Eazi u lancua fuqishëm në tregun muzikor botëror falë bashkëpunimeve me French Montana, Justin Bieber, Efya etj dhe afro-beats është çelësi i tij i suksesit. Ky ritëm mund të jetë vërtet i vështirë, por çdokush është i lirë ta përqafojë sipas dëshirës, mjaft të jetë pak kreativ.

Top Channel