Nëse do të kishte një garë për tifozërinë më të çmendur, Franca do të ishte një prej kandidateve për të fituar.
23 tifozë transalpinë të grupimit “Francezët e Parezistueshëm” mbërritën në Rusi pas një udhëtimi me autobus që zgjati 53 orë. Nisja u bë nga Lioni pas miqësores që Franca zhvilloi kundër SHBA për të kaluar për mes Gjermanisë, Polonisë, Lituanisë, Letonisë për të mbërritur në Rusi në mëngjesin e së martës.
Lodhja duket se nuk ndikoi aspak tek ata, pasi menjëherë shkuan në qendrën stërvitore të Francës ku u pritën nga Deschamps dhe disa prej lojtarëve të përfaqësueses franceze, të cilët mbeten të mahnitur nga kjo iniciativë e ndërmarrë prej tyre.
Në orët në vazhdim anëtarët e grupimit “Francezët e Parezistueshëm” do të zhvillojnë edhe një ndeshje futbolli me tifozët australianë për t’i paraprirë sfidës të së shtunës që Franca do të luajë pikërisht me Australinë sfidë të cilën ata do ta ndjekin falë biletave të dhuruara nga Federata Franceze e Futbollit.
Top Channel