Klubi i Futbollit Skënderbeu ka sqaruar me anë të një deklarate për shtyp se “CAS ka refuzuar vetëm kërkesën për pezullimin e efekteve ndërkohë që është pranuar apelimi i vendimit të komisionit të apelit pranë UEFA-s”.
“Vendimi përfundimtar do të merret në muajt në vazhdim. Klubi dhe zyra ligjore mbetet besimplotë se vendimi përfundimtar do të jetë në favor të KF Skënderbeut”, lexohet në deklaratë.
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë vendosi të lërë në fuqi vendimin e Apelit në çështjen e klubit të futbollit sportiv Skënderbeu, i dënuar me 10 vjet përjashtim nga kupat kontinentale dhe me një gjobë 1 milion euro.
Klubi korçar shpresoi deri në fund se do të mund të merrte qoftë edhe përkohësisht dritën jeshile për të qenë në elitën e futbollit europian këtë sezon, por CAS, e njëjta gjykatë që i dha Shqipërisë fitoren në tavolinë për trazirat e huliganëve serbë, vendosi të mos devijojë nga Apeli i UEFA-s.
“Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka hedhur poshtë kërkesën për masë të përkohshme të ankimuar nga Skënderbeu, duke i qëndruar ekzekutimit të vendimit të marrë nga Apeli i UEFA-s në 26 Prill 2018. Skënderbeu u gjet fajtor për disa ndeshje të manipuluara dhe është përjashtuar me 10 vjet, së bashku me një gjobë 1 milion euro. Procedura e Arbitrazhit ndërkohë është në proces dhe nuk është vendosur një seancë për dëgjimin”, lexohet në komunikatëne e CAS-it.
Top Channel