Spanja ka filluar përgatitjet e saj për Botërorin e Rusisë eveniment që ajo do ta nisë me derbin iberik ndaj Portugalisë. Në kuadrin e këtyre përgatitjeve përfshihet edhe ajo për sistemin VAR.
Sipas “Infobae”, me të mbërritur në Krasnodar, futbollistët e Spanjës nisën të marrin menjëherë leksione për mënyrën e funksionimit të këtij sistemi që quhet ndryshe edhe moviola në fushë dhe kjo bëhet për të evituar ndëshkimin me karton të kuq. Duke qenë se telekamerat do të jenë të shumta në stadiume, do të jetë e lehtë të verifikohen episodet e faullëve që sigurisht do të ndëshkohen, kështu që te ‘La Roja’ ka ardhur koha që të bëhen përgatitjet edhe në këtë aspekt.
Leksioni për sistemin VAR në të vërtetë duket se i është dedikuar kryesisht Sergio Ramos. Kapiteni i Spanjës do të duhet të komunikojë me arbitrat për vendimet e këtij të fundit, protokollin e gjithçka që lidhet me teknologjinë në fushën e lojës. Por jo vetëm kaq, Sergio Ramos dallohet edhe për lojën e tij të ashpër në fushën e lojës dhe këtë e vërteton fakti se është futbollisti që ka marrë më shumë kartona të kuq në historinë e futbollit spanjoll.
Për më tepër, projektorët do të jenë të drejtuar kryesisht tek ai edhe për atë çfarë ndodhi në finalen e Ligës së Kampionen në episodin me Mohamad Salah si dhe me goditjen ndaj portierit të Liverpoolit, Karius.
Sistemi VAR do të jetë vendimtar në këtë Botëror, kështu që futbollistët duhet të mësohen të presin vendimin e mundësisht të mos protestojnë tek arbitri, diçka e komplikuar për një lojtar si Sergio Ramos që është mësuar të konfrontohet me arbitrat e ndeshjeve. Në një turne si Kupa e Botës, çdo gabim paguhet shtrenjtë, kështu që është më mirë që të gjithë të përgatiten për këtë risi.
Top Channel