Hirushja e Botërorit 2018, Islanda u përball me një problem jo shumë të zakonshëm përpara se të nisej për në Rusi.

Trajneri i përfaqësueses së vendit ishullor Heimir Hallgrimsson, humbi për pak kohë kompjuterin e tij ku ishte e përmbledhur e gjithë puna e tij 20-vjeçare. Është e lehtë të imagjinohet shqetësimi i madh në të gjithë stafin teknik të Islandës që u shtua edhe për faktin se skuadra mund të humbiste edhe avionin me të cilin do të shkonte në Gelendzhik.

Hallgrimsson e kishte vënë valixhen e tij jo në autobusin që shkonte drejt aeroportit, por në atë që ishte drejtuar drejt një qyteze tjetër në pjesën perëndimore të Islandës.

Gabimi u kuptua vetëm në momentin që autobusi me valixhen e teknikut ishte në tunelin që lidhte Rejkjavikun me pjesën perëndimore te vendit dhe masa e marrë ishte emergjente. Një anëtar i Federatës që banonte pranë kësaj qyteze, nëpërmjet ndihmës së policisë, arriti të ndalë autobusin në tunel për të marrë valixhen dhe për t’ia dorëzuar në aeroport Hallgrimsson që u lehtësua edhe nga fakti që avioni u nis me një orë vonesë.

Vetë trajneri që është stomatolog me profesion, e mori me humor këtë ngjarje ndërkohë që u ofroi të gjithëve kafe për të kërkuar ndjesë. Gjithsesi tashmë Islanda ndodhet në Rusi për të bërë ndoshta një tjetër surprizë ashtu siç ndodhi edhe në Euro 2016.

Top Channel