Shkëndija e Tetovës nisi të dielën grumbullimin për fazën përgatitore para pjesëmarrjes në eliminatoret e Champions League. Fillimisht ekipi do të punojë në Tetovë, ndërsa faza kryesore, ku do të luhen edhe tre takime kontrolluese, do të zhvillohet në Slloveni prej 20 qershorit deri më 2 korrik.
Atmosfera te skuadra tetovare pas një sezoni historic që u mbyll me fitimin e kampionatin dhe të Kupës është shumë pozitive. Futbollistët kuqezi kërkojnë sfida të reja fillimisht në eliminatoret e Champions League dhe më pas edhe në sezonin e ri të garave vendore.
Ashtu si në vitet e kaluara edhe tani në ditët e para futbollistët do të kryejnë matjet e nevojshme parasezonale për të vlerësuar gjendjen momentale të secilit, për të ndjekur më pas në vazhdimësi progresin që do të arrihet gjatë fazës përgatitore. Këtë të hënë dhe të martën ekipi i ndarë në dy grupe do të kryejë testimet mjekësore në një klinikë profesionale në Prishtinë, ndërsa nga e mërkura nis puna me nga dy seanca stërvitore në ditë.
E premtja parashihet ditë e lirë për shkak të festës së Bajramit, ndërsa nga e shtuna pritet rritja e ngarkesës në stërvitje. Prej 20 qershorit deri më 2 korrik ekipi do të qëndrojë në Rogashka Sllatina të Sllovenisë, ku do të zhvillohet faza kryesore përgatitore, ndërsa janë paraparë tre deri katër ndeshje kontrolluese.
Top Channel