Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehen të kënaqura me ecurinë e bisedimeve dypalëshe me Korenë e Veriut.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi për mediat se në disa çështje përparimi është i dukshëm dhe më i shpejtë nga sa e priste administrata e Donald Trump, e për më tepër atmosfera pozitive do të vuloset me një takim të kokë më kokë mes Presidentit amerikan dhe Kim Jong-un.
Koreja e Veriut ka dhënë sinjale se kërkon të ndryshojë historikun e marrëdhënieve me Uashingtonin, duke kërkuar hapjen e një kapitulli të ri. Por, në SHBA dhe tek aleatët në Seul dhe Tokio ka dyshime.
Koreano-jugorët dhe japonezët mirëpresin afrimin, uljen e tensioneve dhe bisedimet në tryezë, por kërkojnë që të bëhet kujdes se mos bëhet fjalë për një lojë të Kim Jong-un. Historia u jep të drejtë pesimistëve, pasi në disa raste Peniani ka zbutur tensionet me SHBA dhe Seulin, por për vetëm për pak kohë dhe është rikthyer sërish në llogoret e propagandës dhe provokimeve.
Detaje nga atmosfera e takimit historik, që do të zhvillohet në Singapor dhe ministri i Jashtëm i vendit pritës, Vivian Balakrishnan. Ai takoi veç e veç Presidentin Trump dhe më pas edhe Kim Jong-un të dielën.
“Që të dy udhëheqësit duket plot vetëbesim dhe të gatshëm për të biseduar për gjithçka e pa komplekse me njëri-tjetrin”, deklaroi kryediplomati i Singaporit.
Balakrishnan zbuloi gjithashtu edhe se Singapori do të paguajë faturën e Kim Jong-un dhe delegacionit koreano-verior, që është strehuar në një hotel të vendosur në një zonë turistike, disa qindra metra larg delegacionit amerikan.
Por cilat janë pritshmëritë nga ky samit? Uashingtoni e ka bërë të qartë.
“Ne nuk tërhiqemi nga kërkesa jonë për një Gadishull Korean krejtësisht të çarmatosur nga armët bërthamore. Kjo i shërben paqes dhe sigurisë në Gadishull dhe në gjithë rajonin”, deklaroi Mike Pompeo.
Sinjalin se dëshiron që të normalizojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara Kim Jong-un e dha pas takimit me homologun koreano-jugor, Moon Jae-in. Pak ditë pas këtij takimi, Peniani shkatërroi galeritë nëntokësore ku besohet se ka kryer gjashtë teste bërthamore.
Analistët ndërkombëtarë thonë se nga takimit mund të pritet një ndërprerje totale e programit bërthamor nga ana e Koresë së Veriut, por vështirë që regjimi komunist të pranojë që të shkatërrojë mbushjet e prodhuara deri më tani, të paktën jo të gjitha.
Top Channel