Zvicra bëhet kombëtarja e parë që zbarkon në botërorin rus me policë me vete. Përfaqësuesja helvetike ka krijuar një ekip prej 5 ekspertësh që do të shoqërojnë lojtarët në çdo dalje. Detyra e tyre primare është garantimi i sigurisë sidomos në ndeshjet e ashtuquajtura me rrezik të lartë.

Zëdhënësja e policisë zvicerane Lulzana Musliu i bëri thirrje tifozëve që të ndjehen të sigurt pasi agjentët nuk do ndërhyjnë në raste arrestimesh apo trazirash, por do të jenë aty për çdo përshkallëzim situate.

Grupi i lëvizshëm i policisë zvicerane përfshin dy agjentë të quajtur “Spotters”, ekspertë në çështjet e huliganizmit dhe të aftë që të zbulojnë elementët e rrezikshëm dhe ata që cenojnë sigurinë e ekipit. Ata do jenë operativë që përpara fazës së grupeve, dhe më pas në ndeshjet që pritet të zhvillohen në stadiumin e Rostov në 17 Qershor, si dhe në Kaliningrad dhe Novgorod, ditë më vonë.

Skuadra e policisë helvetike do të shërbejë për të distancuar elementët kriminalë si dhe do të jetë një urë lidhëse mes tifozëve zviceranë dhe agjentëve rusë në rastet e organizimeve masive të tifozëve. Kohëzgjatja e misionit, sigurisht do të varet nga kombëtarja e trajnerit Petkoviç, por duket se policët janë tifozët më të mëdhenj që përfaqësuesja zvicerane të shkojë të paktën deri në çerekfinale.

Top Channel