Bisedimet në samitin e G7 në Kanada dështuan në zgjidhjen e diferencave të thella mes presidenti amerikan Donald Trump dhe liderëve të kombeve të tjera të industrializuara. Ndasitë mes tyre u panë qartë sidomos për tregtinë, megjithëse presidenti Trump në konferencën e tij përmbyllëse për shtyp foli për një samit shumë produktiv, ku ai tha se propozoi tregti vërtetë të lirë.
“Mendoj se patëm shumë sukses. Mbyllëm një samit shumë të suksesshëm të G7. Cështja kryesore që u diskutua ishte tregtia, një temë shumë e rëndësishme, sepse SHBA është shfrytëzuar për dekada dhe s’mund ta pranojmë më këtë. Zhvilluam diskutime serioze mbi nevojën për të pasur tregti të ndershme dhe reciproke, pra të barabartë. Pa tarifa dhe pa barriera. Kështu duhet të jetë dhe unë këtë propozova”, u shpreh Trump.
Aleatët e SHBA janë mjaft të zemëruar nga tarifat e reja amerikane që kanë rritur frikën dhe mundësitë për një luftë tregtare. Duke nisur nga kryeministri kanadez Justin Truedau, të gjithë pjesëmarrësit në takim kundërshtuan pikëpamjen amerikane jo vetëm për tregtinë, por edhe për çështje të tjera të nxehta si klima, raportet me Iranin dhe konflikti mes izraelitet e palestinezëve.
Analistët thonë se ashtu siç pritej, samiti nuk solli asnjë zgjidhje në mosmarrëveshjet mes aleatëve, dhe fakti që Trump u largua më herët, duke braktisur pjesën e bisedimeve për klimën, e nënvizon qartë këtë.
Justifikimi i largimit të parakohshëm ishte takimi në Singapor me liderin e Koresë së Veriut Kim Jong un në atë që cilësohet si një samit historik.
Por një pjesë e kritikëve mendojnë se nisja që Trump i bëri samitit të G7 me kërkesën që Rusia të rikthehet në tryezë dhe mbyllja e tij herët për tu takuar me një tjetër diktator, nuk është shenjë e mirë për demokracinë.
Top Channel