Mëngjesin e së shtunës Fadil Vokrri, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare pas një ataku kardiak.

Një nga yjet e futbollit kosovar dhe jo vetëm, Vokrri, prej shkurtit të vitit 2008 ishte zgjedhur president i Federatës së Futbollit të Kosovës duke qenë protagonisti kryesorë i njohjes së futbollit kosovar nga organet më të larta të futbollit botëror si FIFA dhe UEFA.

Fadil Vokrri ka qenë dhe një prej futbollistëve më të mirë të Kosovës dhe të ish-Jugosllavisë së atyre viteve.

Karriera e tij filloi në vitin 1976 me skuadrën e Llapit, ekipi i qytetit të tij të lindjes Podujevës. Më pas në fillimin e viteve ’80 kaloi tek skuadra e Prishtinës, në ato vite pjesëmarrëse e kampionatit të ish-Jugosllavisë.

Brenda 6 vitesh ai spikati në futbollin e atyre viteve dhe menjëherë u rekrutua nga skuadra më e madhe e ish-Jugosllavisë, si Partizani i Beogradit. Atje ai shënoi 18 gola në 55 ndeshje të zhvilluara për 3 vite që u aktivizua.

Karriera e tij më pas kaloi kufijtë duke shkuar në Francë tek Nimes, për të kaluar në fillimin e viteve 1990 tek Fenerbahce apo Burges sërish në Francë.

Nga viti 1984 deri në vitin 1987 Fadil Vokrri ka qenë edhe pjesë e kombëtares së Jugosllavisë me të cilën zhvilloi 12 ndeshje dhe shënoi 6 gola.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA