Një hetim i fshehtë dyvjeçar në botën e futbollit afrikan rezultoi me filmimin e dhjetëra arbitrave duke marrë ryshfet përpara ndeshjeve.

Videoja e skandalit, e publikuar nga BBC, nis me pamjet e atij që konsiderohet si njeriu i dytë më i fuqishëm i këtij sporti në rajon, duke mbushur një qese të errët plastike me tufa parash. Më pas tregon duke marrë 600 dollarë një arbitër që duhej të merrte pjesë në Kupën e Botës këtë muaj.

Janë disa klipe të realizuara nga orë të tëra filmimesh përgjatë harkut kohor të dy viteve, që ka marrë investigimi i një gazetari nga Gana, Aremeyaw Anas.

“Të tradhtosh lojën” është titulli që BBC-ja i vendos videos, publikimin e së cilës, ganezët e kanë pritur prej javësh.

Mbi 100 zyrtarë të futbollit dhe shefat e tyre kanë marrë parà nga reporterët që hiqeshin si persona të tjerë; ryshfetet janë dhënë përpara “Premier League”-s ganeze, “Champions League”-s afrikane dhe ngjarjeve të tjera të mëdha ndërkombëtare të këtij lloji.

I frikësuar nga pasojat që mund të ketë, Anasi nuk e ka treguar kurrë identitetin e tij të vërtetë, por shfaqet gjithmonë me fytyrë të mbuluar. Kritikat ndaj metodave të përdorura nga gazetari, sidomos filmimeve sekrete, nuk mungojnë. Disa thonë se ai u ngre kurth njerëzve e kjo shkakton shumë dhimbje.

Por, reporteri këmbëngul se personat që kanë marrë paratë nuk i detyroi askush ta bënin një gjë të tillë. Hetimet e tij kanë fituar mbështetje të gjerë popullore në Ganë, ku futbolli adhurohet, e shënjestra e tyre i kapërcen kufijtë e vendit, duke bllokuar në filmimet e fshehta edhe arbitrin Range Marwa nga Kenia, që në Rusi duhej të ishte gjyqtar anësor. Ai mohon çdo gabim, megjithatë ka vendosur të tërhiqet nga ekipi i arbitrave të Kupës së Botës.

Top Channel