Lazio hapi një sondazh në përfundim të sezonit, ku u kërkoi fansave të votojnë futbollistin më të mirë të vitit, duke ofruar si alternativa Ciro Immobilen, Milinkoviç-Saviç, Lucas Leivan dhe Luis Alberton.
Me 41 gola të shënuar këtë sezon, të gjithë prisnin që sondazhi të fitohej nga Ciro Immobile, ndërsa si rivali i tij kryesor shihej Sergei Milinkoviç-Saviç, një nga mesfushorët më të kërkuar këtë merkato vere.
Por ndodhi befasia, pasi lojtari më i mirë i sezonit u shpall Lucas Leiva, me plot 71% të votave, i ndjekur nga Immobile me 14% dhe Milinkoviç-Saviç me 11%, rezultat ky që surprizoi të gjithë, por detyroi klubin e Lazios ta bëjë publik në faqen zyrtare në Twitter.
Gjithsesi pas një studimi të detajuar, rezultoi se sondazhi ishte shpërndarë në shumë faqe të fansave të Liverpoolit, të cilët kishin votuar për mesfushorin që për 10 vite e patën idhull në “Anfield Road”.
Mendohet se rreth 28 mijë fansa anglezë kanë votuar në sondazh, duke bërë që Lucas Leiva të jetë fituesi absolut, ndërsa ky është një tregues se për mesfushorin e larguar nga Liverpooli verën e kaluar, gëzohet një dashuri dhe respekt i pazakontë nga tifozët e “The Reds”.
Top Channel