Vetëm dy vite e pak muaj ka zgjatur aventura e Astrit Gjyrezit në postin e administratorit të klubit të futbollit shkodran, Vllaznia.
Ai nuk është shkarkuar, por siç e bën të ditur përmes një deklarate për mediet, ka vendosur të dorëhiqet.
Largimi i tij vjen pas një sezoni tejet zhgënjyes për Vllazninë, që përfundoi me rënien e klubit shkodran nga elita e futbollit shqiptar, Kategoria Superiore.
Arsyet e dorëheqjes, ai nuk i bën të ditura, por ajo çfarë ka dashur të bëjë të ditur për tifozët dhe të interesuarit e tjerë, ka qenë pikërisht një pasqyrim i punës së tij në këto pak vite.
“Jam emëruar në postin e administratorit të Vllaznisë në janar të vitit 2016. E kam gjetur klubin me jo pak probleme financiare, por edhe administrative, e puna e parë që kam bërë, ka qenë strukturimi i ri i klubit. Besoj se sot, në këtë aspekt, Vllaznia funksionon shumë herë më mirë sesa ka qenë më parë. Në anën juridike dhe ekonomike kemi zbatuar të gjitha rekomandimet e lëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit”, thekson ndër të tjera Gjyrezi.
Sipas tij, edhe gjatë kësaj periudhe klubi ka vijuar të ketë probleme financiare, kryesisht për shkak të viteve të kaluara, të cilat shpeshherë e kanë penalizuar ecurinë sportive të ekipit shkodran, por duke shmangur penalizimin me zbritje pikësh.
“Në aspektin sportiv, në postin e administratorit jam munduar që gjatë të gjithë periudhës së punës time të lejoj autonominë e stafit teknik, si specialistë të mirëfilltë të fushës. Në bashkëpunim me to, jam munduar gjithmonë t’ua plotësoj – brenda mundësive që kemi patur, – të gjitha kushtet, si për merkaton, fazët përgatitore, bazën materiale, grumbullimet, transportin, hotelerinë etj”, shkruan Gjyrezi.
Në fund e mbyll me një falënderim për çdo tifoz që ka mbështetur ekipin e Vllaznisë, pa kushte, në çdo moment të vështirë që ka kaluar klubi, e sigurisht edhe me urimin që kuqeblutë të rikthehen sa më shpejt në elitën e futbollit shqiptar.
Top Channel