Gentjan Mezani nuk do të jetë më trajner i Laçit. 38-vjeçari vlonjat largohet nga drejtimi i skuadrës kurbinase për arsye personale.
Lajmi për divorcin erdhi vetëm pak ditë pas finales së Kupës së humbur ndaj Skënderbeut. Mezani fitoi simpatinë e ambientit në Superiore falë mënyrës së lojës që bënte skuadra e tij, por edhe rezultateve të arritura me kualifikimin për në Europa League.
Vlonjati e mori drejtimin e Laçit në javën e 4-ët në sfidën ndaj Vllaznisë, pas dy humbjeve radhazi, me Luftëtarin dhe Kukësin. Debutimi në Superiore në stolin e bardhezinjve erdhi me fitoren 2-0, rezultat që pasoi lojën e bukur dhe rezultatet pozitive.
Megjithatë jo gjithçka ka shkuar mirë për të, pasi gjatë edicionit ekipi ka treguar ulje ngritje në rezultate. Për Mezanin kjo ishte aventura e dytë si trajner në Superiore pas drejtimit si trajner i përkohshëm i Flamurtarit.
Me të në krye Laçi jo vetëm që arriti të sigurojë Europën por edhe t’i japë vlera më të mëdha lojtarëve të rinj në moshë, aq sa Laçi është kthyer në një supermarket, me futbollistë të perspektivës. Qaqi, Gjoni, Fangaj, Lushkja, Kallaku dhe Uzuni janë disa nga emrat e Laçit që kanë përfunduar në axhendën e klubeve shqiptare dhe europiane falë punës së trajnerit Gentjan Mezani dhe stafit të tij.
Top Channel