Chelsea dhe Maurizio Sarri distancohen gjithnjë e më tepër, krahasuar me një javë më parë. Padroni i “bluve” të Londrës, ruso-izraeliti Abramovich nuk duket i gatshëm të paguajë klauzolën prej 8 mln eurosh që lidh Sarrin me Napolin, e cila gjithsesi prej ditës së enjte nuk është më në fuqi, ndaj dhe po kërkon një tjetër fytyrë për pankinën e klubit londinez.
Gjithçka duket se nxitet edhe për pasojë të efektit “domino” të shkaktuar nga largimi i Zidane nga stoli i Realit të Madridit. Chelsea duket se ka hedhur sytë nga trajneri francez, Laurent Blanc, ndërsa Sarri, me shumë gjasë do të tentohet nga Tottenhami.
“Spurs”-at mund të mbeten pa drejtues në pankinë pasi Pochettino shihet gjithnjë e më shumë si zëvendësuesi ideal i Zidane të “Los Blancos”-it spanjollë.
“Më kërkon Reali? Në këtë periudhë të vitit mund të ndodhë gjithçka”, është shprehur Pochettino gjatë një konference për shtyp të ditës së sotme.
Vala e tronditjes së pankinave europiane e ndërkombëtare duket se vetëm sa ka filluar. Zidane, i cili befasoi madrilenët me dorëheqjen e tij të papritur pas 3 sukseseve radhazi në Champions, duket se herët a vonë do të mund të ulet në pankinën e Francës, ndoshta që pas Kupës së Botës në Rusi.
Top Channel