Shqiptarët e arrestuar së fundmi në Spanje si grabitës të vilave luksoze, janë vetëm një nga dhjetëra grupet e tjera që operojnë në këtë fushë në Europë.
Sipas burimeve, task-forca anti-skifter e ngritur në Policinë e Shtetit ka evidentuar të paktën 30 grupe kriminale shqiptare me tendencë vjedhjen e pronës, aktivitet që e zhvillojnë në disa vende të Bashkimit Europian.
Janë 5 vendet ku hajdutët shqiptarë janë kthyer në problem serioz për autoritetet vendase. Task-Forca antiskifter ka studiuar edhe tipologjinë e këtyre grupeve, nga ku rezulton se shumica janë me origjinë nga veriu i Shqipërisë dhe grupet krijohen mbi lidhje farefisnore.
Vështirësia e hetimeve po sipas burimeve nga Policia e Shtetit, qëndron në faktin se këto grupe janë lëvizëse dhe në disa muaj godasin në shtete të ndryshme duke i’u shmangur gjurmimit të autoriteteve. Fitimet e konsiderueshme shumica e grupeve rezulton se i investojnë në Shqipëri në prona apo biznese ndërsa policia shqiptare po shikon mundësinë e atashimit me kohë të plotë të disa oficerëve shqiptarë në vendet përkatëse.
Përveç pjesës policore, ky fenomen që ka njohur një trend në rritje vitet e fundit ka edhe një kosto tjetër të madhe për Shqipërinë, atë të imazhit, si një vend që eksporton krim dhe cenon pronën dhe jetën e qytetarëve europianë.
Top Channel