Fenomeni brazilian Ronaldo i rikthehet futbollit, jo më për të luajtur, por këtë herë me petkun e sipërmarrësit. E për më tepër, rikthimi i tij do të vijë nga Spanja, aty ku gjatë karrierës së pasur ka veshur edhe fanellat e Barcelonës dhe Realit të Madridit.
Sipas asaj që raporton e përditshmja braziliane “O Globo”, ish-sulmuesi 41-vjeçar i “Seleçao”-s është gati të investojë në blerjen e një ekipi. Bëhet fjalë për Valladolidin, një ekip që fundjavën e ardhshme do të luajë ndeshjen “play off” për të siguruar rikthimin në La Liga.
Burime nga Brazili theksojnë se kontaktet financiare janë në fazë të avancuar dhe mund të përmbyllen për shifrën e 30 milionë eurove. Njoftimit brazilian i është bërë jehonë me shumë bujë edhe në Spanjë, ku e përditshmja “AS” konfirmon akordin në parim mes “Fenomenit” dhe Carlos Suarezit, aksionerit aktual me shumicën e aksioneve dhe president i klubit kastiljan.
Për Ronaldon, kjo do të ishte eksperienca e dytë në drejtimin e një klubi, pas asaj të përkohshme në Shtetet e Bashkuara me Fort Lauderdale Strikers, klub ku ishte aksioner nga viti 2014 në vitin 2017, duke zotëruar 25% të aksioneve.
Në janar, ish-ylli brazilian njoftoi në Folha de Sao Paulo synimin e tij për të blerë një klub në Spanjë apo Angli, aq sa nisi edhe tratativat për blerjen e shumicës së aksioneve te Getafe dhe Tenerife. Por, me dështimin e këtyre tratativave, thashetheme lindën për interesimin e tij për një klub kinez, edhe pse ai vet duket se nuk dëshiron të lëvizë nga Spanja.
“Kam dëshirë të shijoj një eksperiencë të re dhe besoj se jam gati të udhëheq një klub”, do të shprehej në janar Ronaldo.
Top Channel