Inter, flet Moratti: Klauzola 110 mln euro e Icardit? Më mirë Higuainin dhe 50 mln euro

30/05/2018 20:34

Prej pak ditësh, forumet e tifozëve zikaltër dhe atyre bardhezinj janë përfshirë nga drithërimat e shkaktuara prej zërave të merkatos, që lindën menjëherë pas një artikulli të publikuar në “Corriere della Sera”, mbi një ofertë të mundshme të Juventusit për Mauro Icardin, që e detajuar nënkupton shkëmbimin me Higuain dhe një shumë prej 50 milionë eurosh.

Por, këtij argumenti nuk mund t’i shmangej edhe një tifoz special i Interit, ish-presidenti Massimo Moratti.

“Icardi është një lojtar me një rritje të vazhdueshme dhe besoj se potencialin e vërtetë të tij ende nuk e kemi parë – është shprehur ai në një intervistë për një portal tifozësh interistë. – Për pasojë, kemi ende kureshti për të parë se cili mund të bëhet në të vërtetë Icardi, që për mua është e sigurtë se do të jetë më i fortë nga sa kemi parë deri tani. Do të ishte një mëkat nëse do ta linim të ikte. Megjithatë, nga ana tjetër kemi Higuainin, një lojtar me eksperiencë të madhe dhe që ka treguar se mund të jetë vendimtar si te Napoli, dikur, ashtu dhe te Juventusi, deri më sot, e ndoshta mund të jetë i tillë për cilindo ekip. Ka një diferencë të dukshme në moshë, që duhet të kihet parasysh, por duket se në ofertën që kanë bërë bardhezinjtë është marrë gjithçka në konsideratë. Nuk është ofertë që duhet refuzuar me të parën, por në të njëjtën kohë duhet të arsyetojmë mbi faktin se, ndoshta për ne të Interit, Icardi shihet si i pashitshëm”.

Ish-presidenti i zikaltërve, gjithsesi nëse do të kishte ende vendimmarrjen në dorë, do të thoshte jo.

“Duhet të jemi të përgjegjshëm ndaj Interit për të marrë këtë lloj vendimi. Unë mund të flas si tifoz në këtë moment, një i apasionuar pas zikaltërve, ndaj do të doja që Icardi të qëndronte. Por, është e qartë se përballë frikës dhe sigurisë se mund ta humbasësh atë, nëse një ekip të paguan klauzolën e prishjes së kontratës, atëherë shkëmbimi me Higuainin mund të ishte një opsion për t’u pasur në konsideratë, pa as më të voglin dyshim. Gjithsesi ka ende shumë për të negociuar me Icardin, kështu që ndoshta drejtuesit aktualë arrijnë ta bindin të qëndrojë”, thotë Moratti.

Veç Juventusit ekziston mundësia që në sulm të hidhet edhe Chelsea, sigurisht duke paguar të gjithë klauzolën. Për këtë Moratti shprehet se, “nëse ata duan ta rrëmbejnë si lojtar, do t’ia arrijnë qëllimit”. Por në këtë rast, sipas ish-presidentit, Interi do të kishte 110 milionë euro në dispozicion për të shpenzuar në merkato.

“Mendoj se për mesfushën do të ishte ideal Payet i Marsejës, është i fortë dhe me grintë, një lojtar për t’u admiruar. Për sulmin, mendoj se blerja e fundit, Lautaro Martinez, ka shumë uri për sukses, kështu që mund të rezultojë një sulmues i mirë. Lewandowski? Ai është sulmues race, që shënon gjithmonë gola, por është çështje krejtësisht e ndryshme nga ajo që propozohet me Icardin”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA