Çmendet Parisi, 45 mln euro në sezon për CR7. Mamaja “refuzon”
Thashetheme nuk mund të quhen, pasi ishte vet portugezi që ndezi “shkëndijat” e merkatos së verës, pikërisht mbrëmjen kur ngriti trofeun e Champions League, të pestin personal dhe të 13-in për “Los Blancos”-it.
E vetmja dilemë për t’u zgjidhur është: Do të shkojë në Paris, apo do të rikthehet te Manchester United?
Fakt është që fytyra e tij mungon në fotot dhe videot e prezantimit të fanellës së re të sezonit të ardhshëm të Realit.
Prapa këtij fakti, gjithsesi fshihet edhe një argument bindës. Është më se normale që në këto foto standarde të bëra nga Adidas të mungojë superylli portugez i madrilenëve, pasi ky i fundit ka si sponsor kompaninë Nike, ndërsa Adidasi bën promocion me lojtarët që i sponsorizon vet ai.
Megjithatë, ajo që shton dyshimet është se, edhe në foton e dyqanit zyrtar të klubit, Ronaldo është i vetmi që mungon me fanellën e re. Këtu, vështirë të fshihet pas çështjes së “sponsorizimit”.
Ndërkohë, shtohen gjithnjë e më shumë zërat për një tentativë të çmendur nga Paris SG. Sipas “AS”-it spanjoll, portugezit i është ofruar një pagë prej 45 milionë eurosh neto në sezon. Një ofertë që, pavarësisht dëshirës së pafundme të presidentit al-Khelaifi, ka dy pengesa serioze. Nga njëri krah, problem është klauzola për prishjen e kontratës me madrilenët, prej plot një miliard eurosh, teksa Parisi do të ishte i gatshëm të paguante vetëm 150 mln euro. Nga ana tjetër është edhe problemi i “fair play”-t financiar të UEFA-s, organit qeverisës të futbollit europian, që po heton mundësinë e një “dopingu” sponsorizimesh te klubi parizien.
Një sanksion i mundshëm do të bllokonte merkaton e francezëve, por Cavani, Guedes dhe Di Maria janë tre emra që do të nxirreshin menjëherë në shitje për të arkëtuar disa të holla, gjithsesi të pamjaftueshme për të përballuar firmën e Cristiano Ronaldos.
Pengesa e fundit është disi familjare. Nëna e portugezit, Dolores Aveiro, e intervistuar nga “SFR Sport 1” ka thënë se, nuk do t’i vinte aspak keq nëse i biri do të firmoste me Parisin, edhe pse do të preferonte që të rikthehej të luante në Manchester.
Top Channel