Kampionia e Europës në fuqi ka bërë një hap fals në përgatitjet përpara nisjes së Botërorit të Rusisë, teksa nuk ka shkuar më shumë sesa barazimi 2-2 kundrejt një rivali inferior në letër, si Tunizia.
Edhe pse kaluan në avantazh të dyfishtë me anë të Andre Silvës dhe Joao Marios, dy lojtarë që aktivizohen me klubet e Milanos, respektivisht Milanin dhe Interin, tunizianët arritën të shkurtonin diferencën e golave brenda pjesës së parë, me anë të Badri, për të barazuar më pas rezultatin pas më shumë se një orë loje, në minutën e 64-t, me Ben Youssef.
Një rezultat që lë shije të hidhur, edhe pse është thjesht një miqësore testuese për trajnerin Santos, ndërsa për tunizianët mund të quhet një sukses i merituar, duke pasur parasysh se po e testonte veten përpara kampionëve të Europës në fuqi, e për më tepër me një as në përbërjen e tyre, si Cristiano Ronaldo, i cili nuk u aktivizua në këtë miqësore, pasi vetëm dy ditë më parë luajti finalen e Champions League.
Top Channel