Lotët e derdhura nga Mohamed Salah mbrëmjen e djeshme, ndoshta nuk ishin vetëm për humbjen e mundësisë për të dhënë kontributin e tij në finalen e parë të Champions League gjatë karrierës së tij, të cilën e braktisi pas vetëm 30 minutash.

Pas lotëve të tij duket se fshihej frika se do t’i duhet të heqë dorë edhe nga Botërori i parë në karrierën e egjiptianit, i cili mezi priste të luante me Egjiptin e tij në Rusi gjatë kësaj vere.

Këtë gjë duket se e ka konfirmuar edhe trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, në fjalën e mbajtur pas ndeshjes finale të Kievit.

“Dëmtimi i Salah është serioz, tashmë gjendet në spital për t’iu nënshtruar testeve. Ndoshta shpatulla, ndoshta klavikula, njëra prej të dyjave i është nxjerrë nga vendi. Botërori për të tashmë është në rrezik serioz”.

Ish-sulmuesi i Romës u dëmtua gjatë pjesës së parë të sfidës ndaj Realit të Madridit, pas një gjesti tejet brutal të qendërmbrojtësit Sergio Ramos, e u detyrua të dilte mes dhimbjesh dhe lotësh nga fusha e blertë.

Pas ndihmës së shpejtë të dhënë nga stafi mjekësor i Liverpoolit, Salah tentoi të hynte në lojë, por e pa që e kishte të pamundur, për t’u zëvendësuar më pas nga Lallana.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA